Një lajm i bujshëm u përhap mbrëmë, teksa shkruhej se prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur një hetim pasi ka dyshime për trukim në lidhje me ndeshjen e Conference League Ballkani- Dinamo Zagreb, 90 minutësh i përfunduar 2-0. Për këtë çështje, nuk ka qëndruar duarkryq klubi dardan, me Ballkanin që ka reaguar në rrjetet sociale.
“Është shqetësuese tendenca për dëmtimin e imazhit të FC Ballkanit nga disa lajme që sot po qarkullojnë nëpër media dhe rrjete sociale. Jemi të indinjuar me atë se çfarë po tentohet të hidhet ndaj nesh, ndaj punës tonë shumë vjeçare, e cila në vete bartë sakrificën dhe mundin e të gjithë aktorëve brenda klubit, që me djersë punuan pafundësisht, që të arrijmë nivelet ku e kemi ngritur futbollin tonë dhe atë shtetëror.
Po tentohet të hidhet pluhur ndaj një fitore të jashtëzakonshme e historike të arritur ndaj skuadrës së madhe, Dinamo Zagreb, ndeshje që pushtoi mediat evropiane e botërore për suksesin e madh të skuadrës sonë. Ftojmë të gjitha instancat e drejtësisë, Prokurorinë e Gjykatën, hetues e gazetarë, që të merren seriozisht me këtë çështje, duke sqaruar çdo detaj të mundshëm për opinionin publik.
Dhe kur kjo të bëhet, të japin përgjegjësi të gjithë të involvuarit në këtë histori sepse ne nuk mund të lejojmë të përlyhet emri i klubit tonë, puna e djersa jonë. Ne jemi të hapur si gjithmonë për çdo kontribut ndihmese, e cila mund të jetë e nevojshme për organet kompetente, në mënyrë që gjithçka të zbardhet sa më parë.” – Shkruan klubi nga Suhareka.