SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka qenë në SPAK, ku iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre” për çështjen e koncesionit të sterilizimit.
Pas përfundimit të seancës në SPAK, Beqaj u shpreh se prokuroria në 50 muaj nuk hetoi dot dy elementët kryesorë të një hetimi për Sterilizimet.
Sipas tij, janë kursyer para nga koncesioni dhe ka përfituar çdo shqiptar.
“Përfundoi hetimi dhe u mora si i pandehur për shpërdorim detyre, në bashkëpunim. SPAK duhet ta kishte nisur vlerësimin e punës time me përmbushjen e ligjit dhe kushtetues, pasi garantimin e kujdesit shëndetësor nga veriu jug për qytetarët, e kam pasur detyrim dhe mision. Të përdorësh me eficensë fondet e shtetit, është detyrë . Por për një ministër Shëndetësie, është detyrë kryesore të shkurtosh harxhimet. SPAK në 50 muaj nuk ia doli që të hetojë dy çështje që ka Sterilizimi. Uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital, dhe uljen e ditëve të marrjes së antibiotikut në spital. Nëse do të kishin bërë këtë vlerësim, konvertimi i këtyre kursimeve në para, do ta nxjerrë një proces në përfitim për financat publike dhe për xhepat e qytetarëve. Kjo do të thotë që mos ta kesh kuptuar se çfarë ke hetuar.SPAK nuk e mori fare mundimin që të hetonte këtë gjë. Kisha detyrim që ta vë në punë sterilizimin. Shqiptarët janë operuar në kushte të sigurta. Prokurorët nuk ishin në gjendje që të bënin dy vlerësime, vlera e parasë dhe si është materializuar ndarja publik-shqiptar. Ua dhamë me koncesion Sterilizimin që t’u shërbenim më mirë shqiptarëve. Të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë ku do dalë e vërteta e përfitimit që ka përfituar çdo shqiptar”, u shpreh ai.
Kujtojmë se ish-ministri dhe 8 persona të tjerë, mes tyre ish-zyrtarë dhe biznesmenë, janë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për dosjen për koncesionin e sterilizimit.
Beqaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv. ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim.
Hetimet janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi të cilët kanë pritur deri në momentet e fundit për mbylljen e hetimeve, afati i të cilave përfundonte pikërisht më 15 mars. SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.