MENU
klinika

Ish-kreu i KQZ tregon skenarët

Çfarë do të ndodhë në Bashkinë e Himarës pas dënimit të Fredi Belerit?!

07.03.2024 - 13:14

Ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume, ka treguar se çfarë do të ndodhë me bashkinë e Himarës, pas dënimit të Fredi Belerit.

Ai u shpreh se me vendimin e dhënë pak ditë më parë nuk ndryshon asgjë, sepse ky vendim do të ankimohet. Ai sqaron se pasi të merret vendimi edhe në Apel, atëherë nëse Beleri dënohet dhe shpallet i fajshëm, do të mbahen zgjedhje të reja. Ndërkohë nëse ai shpallet i pafajshëm, atëherë do të shkojë dhe do të betohet, duke marrë kështu mandatin e tij 4 vjeçar.

“Vendimi i marrë në shkallë të parë, është një fazë drejt zgjidhjes së problemit. Për sa kohë problemi mund të ankimohet, dhe siç e kanë deklaruar se do ta ankimojnë, problemi do të trajtohet në shkallën e dytë dhe pastaj e përfundon çështjen. Pa u marr vendimi në shkallën e dytë, Beleri prezumohet i pafajshëm.

Kjo do të thotë se e efekti i vendimit për sa i takon çështjes së bashkisë, është zero. Ky vendim nuk prodhon asnjë ndryshim. Deri sa të përfundojnë procesi deri në fund, atëherë mund të flasim se çfarë mund të ndodhë me bashkinë Himarë. Nëse nuk është i fajshëm do të shkojë të betohet, nëse është i fajshëm, i ndërpritet mandati. Më pas presidenti shpall datën se kur mund të mbahen zgjedhje të reja. Ndërkohë në këtë fazë që jemi, betimi nuk ka afat”, tha ai i ftuar në “Top Talk”, .

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg.

Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë. Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetetësit e Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë.