Ministria e Mbrojtjes dhe shtabi i ushtrisë serbe ka prezantuar planin për modernizimin e ushtrisë.
I quajtur “Projekti 5000”, plani bën fjalë për trefishimin e forcave speciale në shërbimin e rregullt ushtarak.
Sipas prezantimit që ka bërë ministria e Mbrojtjes, Serbia do të rrisë numrin e njësive speciale të sulmit ajror, njësitë speciale “Kobra” dhe struktura ushtarake të zbulimit.
Në një raport të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ky zhvillim i ushtrisë serbe shihet si një kërcënim për rajonin.
Armatosja e njësive të sulmit ushtarak nga ana e Serbisë, shihet si një kërcënim për vendet e tjera, të cilat do të detyrohen të rishikojnë planet e mbrojtjes. Kosova është shteti i parë më i rrezikuar nga armatosja në këto nivele e ushtrisë serbe, por edhe shtete të tjera si Kroacia, do të detyrohen të marrin masa.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë sugjeron se qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan të ri mbrojtjeje, pas rritjes së kapacitetit ushtarak të Serbisë.
Ndërkohë, vitet e fundit Serbia ka investuar miliona dollarë në blerjen e armëve moderne dhe teknologjisë së fundit ushtarake nga Rusia dhe Kina.