MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

Divorci princëror dhe piedestali i padurueshëm i moralistëve

07.03.2024 - 19:01

Në fillim ishte thashethem rozë dhe tanimë është ngjarje gri. Elia dhe Leka vendosën të ndahen paqësisht. Një histori e ngjashme me qindra të tjera, kur premtimit se çiftin do ta ndajë vetëm vdekja, i vjen vdekja më herët. Ajo çfarë e bën të ndryshme divorcin e tyre dhe i jep një vëmendje të padurueshme mediatike, është fakti se të dy janë të njohur publikisht. Njëri prej të shkuarës së mbiemrit dhe tjetra për shkak të mbiemrit dhe të tashmës së saj. Kaq mjaftoi që privatësia e tyre të kompromentohet rëndë dhe u bë pronë e kërshërisë së publikut. Aq më tepër që videot e sherrit në çift, në rrethana ende të panjohura, por krejtësisht të qortueshme, bënë xhirron marramendëse të rrjetit.

E gjitha kjo është normale në një shoqëri, individët e të cilës, më shumë se të jetojnë jetët e tyre, janë të dëshiruar të gërmojnë në jetën e tjetrit. Një shoqëri që parapëlqen pyllin në syrin vetjak, me kusht që të verë syrin në vrimën e çelësit të fqinjit dhe që dhembjen për dramat personale i këmben për sport me dramat e të tjerëve.

Problemi bëhet ulëritës jo thjesht tek vëmendja, por tek roli që gjithkujt i jep vetes për të bërë prokurorin dhe gjykatësin e jetës së dy të rinjve duke u vetëngritur në një piedestal moral vetjak tërësisht të pamerituar. Gjithësecili, ndër ta edhe dhunuesë në familjen e tyre, grabitës, analfabetë, të papunë, mëkatarë, puritanë, republikanë a monarkistë e lloj-lloj vanitozësh të rrjeteve sociale, zunë të bëjnë gjykime përfundimtare, a thua se kanë një leje sipërore për të ndarë të mirën nga e keqja. Secili rrëmbeu hekura e hunj në duar për të folur për hesape shpirti, pa e bërë shpirtin qeder që thika, e cila ndan si me thikë qëndrimin ndaj çiftit, hyn thellë në plagën e tjetrit. Dhe ajo, si çdo plagë e tjetrit, as i dhemb gjuhëthikëmbajtësit dhe as i jep dilema morale. Secili morri një gur për ta gjuajtur në zallishten e pafundme të hapësirës mediatike, pa menduar se kë godasin, kush lëndohet dhe kush vritet nga histeria historike e pelegrinëve të jetës së tjetrit. Këshilla e hershme: “Nëse jeton në shtëpi prej xhami, mëso që të mos gjuash me gurë!”, nuk i hyn askujt në punë deri sa secilit t’i vijë rradha për xhamat e thyer në oborrin privat.

E si të mos mjaftonte e gjitha kjo, argumentat pro njërit dhe kundër tjetrit shtrihen shumë më tej. Princit Leka i kujtojnë të atin dhe gjyshin, problemet e mundshme me ligjin të të parit dhe arratinë e të dytit duke i veshur qyrkun e fajit si këmishë force birit e nipit të tyre. Elias i kujtojnë divorcin e hershëm të prindërve dhe e konsiderojnë edhe atë dhe veprimet e saj si rrjedhojë të asaj drame të shumë viteve më parë. Dhe gjykuar mbi të shkuarën, sherri mes tyre, për moralistët në piedestale, ka dhe shpjegimin, kuptimin dhe formësimin e mundshëm.

Vetëm të paditurit nuk kanë dilema. Vetëm të marrët nuk kanë asnjë dyshim në çfarë mendojnë, thonë e bëjnë, ndonëse shpesh edhe të paditurit, edhe të marrët nuk bëjnë atë që thonë dhe thonë atë që nuk mendojnë.

Në fakt këtu nuk bëhet fjalë për krizën e një çifti. Divorci i tyre apo dhe një histori e ngjashme me dy artistë të rinj, Xhesi e Besi, është një nga shenjat dëshpëruese që provojnë krizën e thellë morale të gjithë shoqërisë. Humbjen prej saj të orientimit të përgjithshëm për çfarë është e mirë dhe çfarë është e ligë, çfarë është e dobishme dhe çfarë është e dëmshme, çfarë është vetjake dhe çfarë mund të shitet në supermarketet mediatike. Ajo dëshmon tkurrjen e një hierarkie të qëndrueshme vlerash ku, nëse do të perifrazohej referenca proverbiale e Umberto Ecos, çdo idiot i padobishëm lagjeje, i ndërton vetes një piedestal moral vlerash nga ku beson se është i aftë edhe të uri…ojë në drejtim të erës. Me guximin e të marrit që jeton i pandëshkuar në krimin e paditurisë mendjemadhe e të pashpirt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN