Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, është përgjigjur ndaj deklaratave të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke qetsuar edhe qytetarët. Ai tha se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s, dhe sipas tij, ajo është e gatshme të veprojë nëse është nevoja.
Ambasadori shtoi se politika e SHBA-së është e qartë se dëshiron që secili shtet të jetë në gjendje të marrë vendime vetë për aleancat e organizatat në të cilat do të anëtarësohet.
Më tej, Jeff Hovenier, theksoi se është plotësisht i vetëdijshëm se Kosova ka vendosur dhe dëshiron t’i bashkohet NATO-s.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë. SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe është angazhuar shumë për të përkrahur Kosovën e FSK-në në tranzicionin e saj. Kosova përballet me sfidën, që disa shtete të NATO-s nuk e njohin siç e njeh SHBA-ja e partnerët tjerë. Duam të shohim këtë të ndryshojë. Duam të shohim që të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është shumë mirë me NATO-n sa i përket vlerave e institucioneve. Ka probleme e çështje që duhet zgjidhur”, ka thënë Hovenier, i cili ka shtuar se pret që Kosova një ditë të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. “Dua të kundërshtojë ata që duan të bëjnë krahasime. Ka angazhime të mëdha për të avancuar sigurinë e Kosovës”, tha Hovenier.