MENU
klinika

Investigimi i medias amerikane

Fijet që luajti Grenell për idenë e Trump për të investuar në Serbi!

19.03.2024 - 10:47

Grenell shihej gjerësisht në mesin e diplomatëve evropianë si favorizues i palës serbe në negociata dhe ai u prit ngrohtësisht në Beograd. Ai ushtroi presion të jashtëzakonshëm ndaj kryeministrit Albin Kurti të Kosovës për të hequr tarifat ndaj produkteve serbe dhe aleatët e Trump filluan të bëjnë thirrje publike për tërheqjen e paqeruajtësve amerikanë nga Kosova.

Plani i Jared Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit për të ri-zhvilluar një zonë të çmuar në kryeqytetin e Serbisë, Beograd duket se i bën jehonë interesit që ka pasur Donald Trump gati një dekadë më parë.

Marrëveshja ende në tentativë midis ekipit të Kushner dhe qeverisë serbe do t’i japë firmës së investimeve të Kushnerit një qira 99-vjeçare, pa pagesë, dhe të drejtën për të ndërtuar një hotel luksoz, një kompleks apartamentesh dhe një muze në vendin e ish-selisë qendrore të Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë e cila u bombardua nga NATO në 1999. Një draft i marrëveshjes iu dha “New York Times” nga një zyrtar serb.

Në vitin 2013, dy vjet para se të shpallte kandidaturën për president, Trump i tha një zyrtari të lartë të qeverisë serbe se donte të ndërtonte një hotel luksoz në atë vend.

Bashkëpunëtorët e Organizatës Trump udhëtuan në Beograd për të inspektuar zonën. Projekti nuk u ngjiz dot para zgjedhjes së Trump në 2016 dhe pasi u betua si President, ai u zotua se nuk do të bënte asnjë marrëveshje të re jashtë vendit. Por zhvillimi i zonës do të tërhiqte sërish interes nga rrethi i Trump.

Richard Grenell, të cilin Trump e kishte emëruar si të dërguar të posaçëm në Ballkan, nxiti planet që Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të punojnë së bashku për të rindërtuar në vendin e ish-Ministrisë së Mbrojtjes. Ai ishte në favor të përdorimit të investimeve amerikane për të transformuar pamjen e Beogradit kur ishte ende duke shërbyer në detyrën e tij zyrtare si diplomat amerikan në vitin 2020, sipas transkripteve dhe një regjistrimi të bërë gjatë konferencave për shtyp.

Kushner tha në një intervistë të dielën se ai kurrë nuk kishte diskutuar projektin e Beogradit me Trump dhe nuk ishte në dijeni të interesit paraprak të vjehrrit të tij për rizhvillimin e vendit. “Nuk e kisha idenë se vjehrri im kishte qenë i interesuar në atë rajon dhe dyshoj se ai ka ndonjë ide për këtë marrëveshje për të cilën po punojmë”, – tha Kushner.

Përfaqësuesit e Trump nuk iu përgjigjën kërkesave të shumta të NYT për koment, as për përpjekjet aktuale të Kushnerit, as për interesin paraprak të Trump për zhvillimin e Beogradit.

Edhe Grenell tha se edhe ai nuk kishte dijeni për interesin e Trump për këtë çështje përpara presidencës së tij. Tani po punon me Kushnerin për marrëveshjen e re të zhvillimit dhe, sipas Kushnerit, Grenell ishte forca kryesore që e shtyu atë të konsideronte investimin e Beogradit.

Në rolin e tij si i dërguar i posaçëm gjatë dy viteve të fundit të administratës Trump, Grenell ndihmoi në nxitjen e bisedimeve të pajtimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, dy kombe fqinje që kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga fundi i luftës në Bosnjë në 1995. Roli i Grenell-it në shtytjen për rizhvillimin e kësaj zone në Beograd për përfitime personale ngre pyetje në lidhje me konfliktin e interesit në marrëveshjet me qeveritë e huaja, si për Grenell dhe për Trump që kërkon përsëri presidencën.

Kushner konfirmoi të premten se firma e tij e investimeve po ndiqte marrëveshjen në Serbi, si dhe projektet e pasurive të paluajtshme luksoze në Shqipëri dhe se ai priste të finalizonte marrëveshjet së shpejti. Mbivendosja mes veprimeve zyrtare që Kushner dhe Grenell ndërmorën gjatë punës në qeveri dhe marrëveshjeve të biznesit që ata po ndjekin në rajonet ku ata shërbyen u ngjan marrëveshjeve të arritura nga ish-sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin dhe vetë Kushner në Lindjen e Mesme pas largimit nga detyra.

Mnuchin dhe Kushner, të cilët ishin të dy aktivë në diplomacinë e Lindjes së Mesme, themeluan firma investimi pasi u larguan nga administrata Trump, të cilat më pas siguruan miliarda dollarë nga qeveria saudite dhe qindra miliona dollarë nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Kathleen Clark, një profesore e drejtësisë në Universitetin e Uashingtonit ka analizuar këtë çështje.

“Shqetësimi është se qeveria e Serbisë mund të përpiqet të ndikojë tek një president të ardhshëm si Trump duke pasuruar familjen e presidentit” – thotë ajo. Politika e jashtme amerikane ndaj Serbisë duhet të ndikohet nga ajo që është në interes të Shteteve të Bashkuara, jo nga ndonjë favor financiar që vjen nga qeveria serbe.

Ideja e rindërtimit në vendin e ish-selisë ushtarake të bombarduar erdhi menjëherë pasi Trump kishte pritur në Shtëpinë e Bardhë Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë. Gjatë asaj vizite, Vuçiq vlerësoi përparimin që Grenell kishte bërë në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës.

Trump vlerësoi gjithashtu Grenellin në ceremoni, ku e përshkroi përparimin midis dy palëve si një rezultat të qartë të presidencës së tij dhe një rezultat që mund të çojë në një përparim politik. Kushner shërbente si këshilltar i lartë i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në atë kohë.

“Që në fillim, ajo që tha Presidenti Trump është: “Le t’u japim atyre një shije të vogël të ekonomisë së Trump” – thotë Grenell, sipas një transkripti të takimit. “Le t’u tregojmë atyre se si të zhvillojnë ekonominë, si të marrin industri dhe t’i rritin ato.”

Në 2018 dhe 2019, teksa shërbente si ambasador në Gjermani në administratën Trump, Grenell, i cili u ka thënë të besuarve se ai aspiron të jetë sekretar i shtetit në një mandat të dytë të Trump, u përpoq të shtrinte ndikimin dhe t’i jepte fitore të profilit të lartë shefit të tij. Ai ndikoi tek zyrtarë të lartë në qeverinë gjermane përmes stilit të tij kaustik të diplomacisë, por kishte filluar të kultivonte marrëdhënie të tjera në të gjithë Evropën, përfshirë Vuçiçin.

Teksa ishte ende ambasador në Gjermani, Grenell e bindi Trumpin që ta emëronte për të ndërmjetësuar konfliktin e gjatë midis Serbisë dhe Kosovës, thanë dy ish-zyrtarë të administratës Trump.

25 vjet më parë, forcat e NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja ndërhynë ushtarakisht për të mbrojtur myslimanët në Kosovë nga spastrimi etnik nga qeveria serbe. Ish-shtabi i ushtrisë jugosllave në qendër të Beogradit, ndonëse kryesisht i papërdorur në atë kohë, u bë objektiv. Vendi ka qëndruar në gjendjen e tij të dëmtuar që atëherë dhe shihet nga serbët si një simbol i vuajtjeve të tyre gjatë sulmeve të NATO-s.

Në vitin 2008, Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga Serbia, e cila nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si një vend sovran.

Në tetor 2019, Trump emëroi Grenellin si “të dërguarin e tij special presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës”. Departamenti i Shtetit e kishte ndërkohë një ekip që punonte për këto çështje dhe Grenell kishte relativisht pak përvojë në Ballkan.

Grenell shihej gjerësisht në mesin e diplomatëve evropianë si favorizues i palës serbe në negociata dhe ai u prit ngrohtësisht në Beograd. Ai ushtroi presion të jashtëzakonshëm ndaj kryeministrit Albin Kurti të Kosovës për të hequr tarifat ndaj produkteve serbe dhe aleatët e Trump filluan të bëjnë thirrje publike për tërheqjen e paqeruajtësve amerikanë nga Kosova. Grenell kishte një aleat të rëndësishëm në Kosovë: presidentin e asaj kohe, Hashim Thaçi, i cili më vonë u akuzua për krime lufte.

Grenell hodhi poshtë çdo sugjerim se ai favorizonte njërën palë. Ai tha se ishte nderuar nga liderët e të dy vendeve, Vuçiq në Serbi dhe Thaçi në Kosovë, për rolin e tij në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për normalizimin ekonomik. Por ai pranoi se në veçanti kishte bërë përparim nën administratën Trump në shtrëngimin e lidhjeve ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. “Kisha krijuar shumë dashuri për të çuar përpara marrëdhëniet serbo-amerikane,” – tha Grenell në një intervistë me NYT të dielën.

Gjatë kohës së tij si i dërguar në Ballkan, Grenell zhvilloi miqësi me zyrtarë të lartë serbë, duke përfshirë Vuçiçin dhe Sinisa Malin, ministrin serb të financave, për të cilin zyrtarë në Beograd thanë se luajti një rol në miratimin paraprak të marrëveshjes që Kushner po bën tani për hotelin. Mali nuk iu përgjigj kërkesave të NYT për koment.

Grenell postoi në faqen e tij në Instagram një video të tij dhe Malit duke kënduar në vitin 2021 brenda një klubi të mbushur plot në Beograd të rrethuar nga të tjerë duke kërcyer nën muzikën pulsuese, ndërsa valëvitnin flamujt serbë dhe mbanin fishekzjarrë. Grenell u kthye në Serbi dhe Shqipërinë fqinje menjëherë pasi Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë për të nxitur shtytjen e projekteve të zhvillimit që ishin miratuar nga kompania e Kushner, duke përfshirë edhe marrëveshjen e Beogradit.

Drafti i marrëveshjes së siguruar nga NYT nga një zyrtar i qeverisë serbe specifikon gjithashtu opsionin e transferimit zyrtar të pronësisë te kompania e Kushnerit pa pagesë, pasi të ndërtohet kompleksi hotelier dhe njësitë rezidenciale luksoze.

Kushner, në një intervistë, nuk e kundërshtoi vërtetësinë e dokumentit të siguruar nga NYT. Ai tha se palët kishin rënë dakord paraprakisht që t’i jepnin qeverisë serbe 22% të fitimeve të gjeneruara nga projekti rreth 500 milionë dollarë.

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, tha në një deklaratë se zona e Beogradit do të “transformohej në një hotel luksoz të klasit botëror”, por se do të përfshinte gjithashtu një muze dhe memorial të projektuar nga arkitektë serbë, për të nderuar rëndësinë e vendndodhjes dhe historisë serbe. Kushner tha se Grenell e kishte inkurajuar atë të ndiqte projektin.

“Ric është një avokat i madh për të investuar në Ballkan dhe është përpjekur të më shtyjë të investoj në këtë projekt”, – tha Kushner, duke vënë në dukje se një kompani amerikane do të rindërtonte një vend që NATO kishte bombarduar. Përfaqësuesit e qeverisë serbe nuk u përgjigjën pyetjeve dhe kërkesave të shumta për koment.

Danijela Nestorovic, një anëtare e partisë opozitare të parlamentit të Serbisë, dhe anëtarë të tjerë të partisë së saj dënuan marrëveshjen e me Kushnerin në një deklaratë për NYT, duke vënë në dukje se disa njerëz u vranë dhe 40 u plagosën gjatë periudhës së sulmit të NATO-s kur u godit ndërtesa.

“Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm është një memorial për ne,” tha ajo në deklaratë, duke iu referuar selisë ushtarake të bombarduar. “Ajo nxit emocione të thella, të fshehura për viktimat e bombardimeve të NATO-s. Të ndërtosh një hotel atje – do të ishte tallje për qytetarët e Serbisë”.

Grenell, në një intervistë me NYT të dielën, tha se marrëveshja e Kushnerit përfaqësonte një mundësi për të “shndërruar një simbol të konfliktit të mëparshëm në një urë miqësie dhe rinovimi” dhe se “simbolizon përparimin e jashtëzakonshëm që është bërë për të shëruar plagët nga e kaluara.”

Në vitin 2020, kur Grenell i kishte shtyrë zyrtarët serbë që të mendonin të punonin me investitorë amerikanë për të rizhvilluar atë zonë të Beogradit, Ivica Daçiç, i cili deri atëherë shërbente si ministër i Jashtëm në qeverinë serbe, kujtoi një vizitë që kishte bërë në Kullën Trump në Nju Jork në 2013. Atëherë ishte Trump që kishte diskutuar për herë të parë projektin e hotelit në ish-selinë e ministrisë serbe të mbrojtjes.

“Unë nuk mendoj se ai e ka harruar atë dëshirë” – tha Daçiç në një konferencë shtypi në vitin 2020, duke iu referuar Trump.

Projekti i propozuar në Serbi është vetëm një nga tre marrëveshjet që Kushner dhe Grenell po përpiqen të zhvillojnë në Ballkan.

Kushner tha të premten se kontratat nuk ishin nënshkruar, por se negociatat ishin ende shumë larg, por ai shpresonte se ato do të finalizoheshin. Ai kundërshtoi çdo sugjerim se kompania e tij po merrte trajtim të veçantë. Ai tha gjithashtu se e dinte profilin e lartë të pozicionit të tij.

Ai është i martuar me vajzën e madhe të Trump, Ivanka, dhe ka luajtur një rol të spikatur në Shtëpinë e Bardhë me Trump, kështu që nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ishte i kujdesshëm për të vepruar brenda kufijve të ligjit dhe etikës.

“Gjithçka duhet të jetë plotësisht e pastër” – tha ai./ Përshtatur nga New York Times

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!