Një ditë pasi gjykata e Lartë zbardhi vendimin për çështjen e Vulës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkon nga Apeli shqyrtimin menjëherë, duke thënë se duhet t’i jepet fund këtij absurdi.
“Pas zbardhjes së vendimit të GjL për konfliktin e brendshëm ligjor në PD, është e domosdoshme që GjL menjëherë dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme t’i jap fund tejzgjatjes së këtij absurdi që vijon prej 2 vitesh dhe që duhet të ishte zgjidhur me vullnet e përgjegjshmëri politike.
Partia Demokratike e Shqipërisë është pronë e anëtarëve të saj, aset kombëtar, dhe çështje e interesit publik, që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetën publike, shtetërore, institucionale të vendit. Çdo zvarritje do të ishte e papranueshme, sepse dëmton opozitën dhe përmes saj dëmton Shqipërinë!”, shkruan Bardhi.
Në orën 15:00 në Gjykatën e Apelit do të hidhet shorti për caktimin e trupit gjykues për çështjen lidhur me vulën e Partisë Demokratike.
Këtë të martë do të hidhet shorti ku edhe pritet të vendoset se kush do ta shqyrtojë këtë çështje në Apel.