MENU
klinika

Atalanta i është bërë makth

Juventus nuk e mposht prej 5 ndeshjesh në “Allianz Stadium”

09.03.2024 - 13:21

Juventusi i ka rënë bota mbi kokë në një muaj të vetëm, duke qenë se jo vetëm kanë rrëshqitur 15 pikë poshtë Interit, teksa kryesonin me 1 pikë kampionatit, por ndërkohë edhe vendi i pestë dhe ai që do t’i nxirrte jashtë Champions-it, nga 18 pikë tashmë është ngushtuar në 10 pikë (Bolonja).

Kjo do të thotë se ndeshja me Atalantën të dielën, në orën 18:00, në “Allianz Stadium”, është ndoshta udhëkryqi më i rëndësishëm për skuadrën e Masimiliano Alegrit për të mos vënë në diskutim të paktën objektivin e tyre minimal dhe pse jo edhe vendin e dytë në renditje.

Por në duele përballë Atalantës telashet kanë qenë gjithmonë të mëdha, madje Berat Gjimshiti me shokë jo vetëm që i janë shndërruar në një makth, por në pesë ndeshjet e fundit në Torino kanë bërë më shumë pikë sesa të zotët e shtëpisë, falë një fitoreje (më 27 nëntor 2021) dhe 4 barazimeve. Madje, edhe sfida e fundit, ajo e sezonit të kaluar, ishte thjesht spektakolare, por nëse nuk do të kishte qenë për Danilon, që dërgoi shifrat në 3-3, humbjet mund të kishin qenë dy.

Dhe jo më kot, pas barazimit në Ligën e Europës me Sportingun e Lisbonës, Berat Gjimshiti nuk nguroi që t’i bëjë presion bardhezinjtë: “Tani e gjithë mendja dhe forcat tona do të përqendrohen aty. Atalanta ka reaguar fort pas dy humbjeve në kampionat dhe ndaj Juves do të kemi motivimin e duhur për të bërë një ndeshje të madhe”, tha mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, që pritet të drejtojë prapavijën zikaltër.

Ndoshta, vetëbesimi i Gjimshitit nuk varet vetëm nga reagimi i Atalantës në Europë, por edhe nga fakti se torinezët do të kenë një mori me mungesa të rëndësishme si Vlahoviç, Rabio, De Shiljo, dy të dënuarit Pogba e Faxholi, por Alkaraz e MeKeni . Por ky i fundit, i cili ka ndrydhur shpatullën kundër Frozinones duket se do të shtrëngojë dhëmbët.

I gjendur në emergjencë, trajneri Alegri i ka kërkuar një sakrificë amerikanit, pasi në mesfushë njerëzit janë me pikatore dhe mungon si freskia fizike, ashtu sikurse ajo teknike për të qenë kompetitiv sa duhet ndaj makinerisë së Gasperinit. Nëse Juvja kërkon një fitore për të qenë më i qetë në vendin e dytë, Atalanta kërkon me çdo kusht fitoren, për t’iu afruar sa më shumë vendit të katërt.