Ekspert i kriminalistikës Ervin Karamuço është shprehur se ngjarjet e rënda kriminale me të cilat ka filluar ky vit do të çojnë në ndryshime në kupolën e Policisë së Shtetit, pasi analizat kanë filluar tashmë.
Në veçanti ai ka folur mbrëmë në RTSH për rastin e ekzekutimit të ish-policit Gentian Bejtja dhe zonën problematike të Fushë Krujës, ku policia tha ai, me zor se hyn dhe ku eksponentët e krimit kanë gjetur terren për shkak të një komisariati shumë të intimiduar.
“Bejtja dihej që do të vritej, por nuk dihej kur do të vritej. Nuk i gjen Policia (vrasësit) sepse duhet të themi diçka, që janë disa zona aty që ka frikë të hyjë. Aty hyn FNSH dhe RENEA kur ka ndonjë kontroll, kur bëhet krehja e zonës. Nuk hyn dot dhe nuk marrin dot informacion, ata janë persona me rrezikshmëri shumë të lartë. Disa thirren, shoqërohen, kthehen prapë. E kanë bërë komisariatin e Fushës Krujës sikur janë në një lokal që pinë ndonjë kafe aty dhe ikin prapë.
Pra, megjithëse janë ndërruar shefa komisariatesh, prapë ajo zonë është jashtë kontrollit. Duhet thënë se edhe aty kanë djegur makinën këta të fundit, Range Rover me katër automatikë që u gjendën brenda, aty janë djegur tetë makina të tjera në të njëjtin vend. Pra, e dinë edhe ku stacionohen, ku digjen, ku s’ka kamera, janë në zonën e tyre dhe aty i vënë të gjitha, janë të dislokuar për çdo gjë.
Ka pasur goditje shumë të mira për armatimin, se armatimi është gjë kryesore sidomos në zonën e Durrësit, që po bën punë shumë të mirë, kurse zona e Kurbinit, që është më problematikja, nuk ka asnjë lloj, as krehje zone, as ….Se duhet të kesh informacion, të kesh inteligjencën. S’e ke inteligjencën; të marrësh një person, të bashkëpunojë, të nxjerrë ku janë, si janë. Do të thotë që Policia aty është shumë e intimiduar, është problem ky dhe për gjithë këto analiza, sigurisht kam dëgjuar që do të ketë edhe ndryshime në kupolën e Policisë. Patjetër! Sepse ka filluar viti me shumë ngjarje. Nuk po them vrasje, por po them ka dhe plagosje, dhe ngjarje të rënda kriminale për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi dikush. Po diskutohet për të pasur ndryshime në kupolën e Policisë së Shtetit,” vërejti eksperti në studion e emisionit “3D”.