Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka sqaruar deklaratën që u publikua në media, në lidhje me kërcënimin e familjes së një prokurori, gjatë një takimi me dyer të mbyllura, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Në një reagim për mediat, Dumani sqaroi se nuk ka përmendur një kërcenim konkret, por deklarata e tij u bë në kontekstin se prokurorët, nuk ndihen të shqetësuar për kërcënimet që vijnë nga politika, por për kërcënimet nga krimi i organizuar.
“Nuk kam thënë në takimin që jam thirrur ditën e sotme, që është kërcënuar familja e ndonjë prokurori. Më është bërë një pyetje, nëse ndihen të kërcënuar prokurorët nga politika apo krimi i organizuar dhe kam thënë që nuk jam i shqetësuar nga politika, por nga krimi i organizuar, të cilat janë shtuar dhe prokurorët janë të përgatitur për çdo gjë”, sqaroi Dumani për Report TV.