Indeksimi i pensioneve këtë vit pritet që të bëhet në muajin tetor. Në tetor pensionistët do të marrin ca para më tepër në pagesën mujore të pensionit të tyre. Kujtojmë se, vitet e kaluara indeksimi është bërë në 1 prill, ndërsa këtë vit sipas ekspertëve pritet që të bëhet në muajin tetor. Gazeta “SOT” ka kontaktuar dje ekspertin e njohur të ekonomisë Fatos Çoçolin, i cili i pyetur se a janë një zgjedhje e mirë si metodë, indeksimet dhe kur pritet të bëhen, ai u shpreh se indeksimet janë të domosdoshme dhe duhet që ato të bëhen çdo vit pasi bëhet fjalë për uljen e vlerës së parave që pensionistët marrin për shkak të rritjes së çmimeve në treg. Sipas tij, indeksimi, do të bëhet në tetor dhe nuk do të ketë indeksime të tjera. Por, ai u shpreh se uron që të ketë 2 bonuse, përveç atij të fundvitit, nëse do të ketë të ardhura në buxhet mund të ketë një bonus në muajin shtator. “Indeksimet janë të domosdoshme dhe duhet që ato të bëhen çdo vit pasi bëhet fjalë për uljen e vlerës së parave që pensionistët marrin për shkak të rritjes së çmimeve në treg, pra për shkak të inflacionit. Ai do të bëhet në tetor dhe nuk do të ketë indeksime të tjera, por urojmë që të ketë 2 bonuse. Nëse do kemi të ardhura në buxhet shpresojmë se mund të ketë një bonus në shtator dhe ai në dhjetor”, tha ai. I pyetur se si mund të përfitojnë pensionistët pension pleqërie kur nuk kanë vitet e plota në librezë, ai tha se pensionistët pa vitet e plota të pensionit mund të përfitojnë në bazë të ligjit një pension të pjesshëm. Por, sipas tij duhet që të kenë kapur një nivel 20 vite kontribute në mënyrë që të marrin pension të pjesshëm.“Pensionistët pa vitet e plota të pensionit mund të përfitojnë në bazë të ligjit një pension të pjesshëm. Por, duhet që të kenë një kuorum dhe duhet që të kenë kapur një nivel 20 vite kontribute në mënyrë që të marrin pension të pjesshëm”, tha ai.
Pensionistët që kanë punuar në ish-kooperativa dhe nuk figurojnë në regjistra
Ndërkohë, i pyetur se çfarë zgjidhje jep ligji për pensionistët që kanë punuar në ish-kooperativa, por që nuk figurojnë në regjistra, ai tha se për fat të keq ligji nuk mund të gjej një zgjidhje për pensionistët që kanë punuar në ish-kooperativa dhe që emri nuk u figuron nëpër regjistra. Sipas tij, ndoshta mund të bëhet diçka përmes vendimeve gjyqësore dhe ftesës së dëshmitarëve për të dëshmuar. Ai theksoi se sidoqoftë do të jetë shumë e vështirë. “Për fat të keq ligji nuk mund të gjej një zgjidhje për pensionistët që kanë punuar në ish-kooperativa dhe që emri nuk u figuron nëpër regjistra. Çdo ligj në botë është i bazuar në një dokumentacion dhe kur nuk e ke këtë dokumentacion do të jetë e vështirë, ndoshta përmes vendimeve gjyqësore dhe ftesës së dëshmitarëve për të dëshmuar. Por, sidoqoftë do të jetë shumë e vështirë dhe këtu nuk ka ca të bëjë shumë ligji për ata që kanë punuar në ish-kooperativa, për ata që nuk i figuron emri që të mund të marrin edhe një pension shumë të vogël”, tha ai. Lidhur me atë se çfarë duhet të ndryshojë nga skema e vjetër në mënyrë që pensionistët të marrin më shumë para, Çoçoli tha se pensionistët mund të marrin më shumë para vetëm përmes asaj që quhet skemë e diversifikuar. Sipas tij, bëhet fjalë për fondet vullnetare dhe për pensionet private ku pensionistët mund të kontribuojnë dhe të marrin një pension të shtuar. “Pensionistët mund të marrin më shumë para vetëm përmes asaj që quhet skemë e diversifikuar, pra me më shumë burime. Bëhet fjalë për fondet vullnetare dhe për pensionet private ku pensionistët mund të kontribuojnë dhe të marrin një pension të shtuar. Për sigurimin e detyruar të pensioneve private ajo do ti krijoj mundësi që të ketë të ardhura shtesë për pensionistët që janë në këtë skemë. Nuk shoh ndonjë mundësi nga burimet e buxhetit të shtetit që pensioni të rritet ndjeshëm, flasim për pensionin që sigurohet nga skema e pensioneve shtetërore”, tha ai.