MENU
klinika

Mero Baze

NATO nuk mund të ruajë Shqipërinë dhe Kosovën nga shqiptarët antiperëndimorë

04.03.2024 - 21:05

Kur u ndërtua baza ushtarake e Kuçovës, që sot u bë bazë e NATO, qyteti quhej Qyteti “Stalin”. E ndërtuar një vit pas vdekjes së Stalinit me ndihmën edhe të fondeve sovjetike, ajo e nisi jetën e saj si pjesë e Traktit të Varshavës dhe sot është bazë e NATO.
Udhëheqësi i atëhershëm i Shqipërisë e kishte nevojë jetike të qëndronte në pushtet si stalinist.

Historia e bazës ndjek në një farë mënyre historinë e rrugëtimit gjeostrategjik të Shqipërisë, nga një vend i Traktatit të Varshavës në një vend anëtar të NATO dhe pjesë e aleancës perëndimore në rajon.

Sot Shqipëria ka dakordësi të plotë formale politike, për praninë e NATO në vendin tonë, por prania e NATO nuk është thjeshtë çështje ushtarake.
Prania e NATO në Shqipëri është mbi të gjitha një çështje politike. Që NATO të jetë në një vend properëndimor, nuk ka nevojë vetëm për dakordësi formale për praninë e saj, se për gjëra të tilla nuk është se shqetësohet, por ka rëndësi që vendi të ketë orientim të qartë perëndimor, dhe të jetë aleat i perëndimit jo vetëm me fjalë, por me një sistem të garantuar të vlerave perëndimore.

Siguria kombëtare e Shqipërisë, dhe në strategjinë e sigurimit kombëtar, garantohet mes të tjerash nga ekzistenca e një rendi demokratik, shteti ligjor, dhe një vendi të lirë bazuar në parimet e perëndimit.

Shqipëria prej vitit 1990 i ka mbijetuar kursit të saj perëndimor, por disa herë vendi ka bërë hapa pas nën presionin e sjelljeve antiperëndimore të politikës.

Në vitin 1997, Shqipëria u përfshi nga revolta dhe u vu nën kontroll ndërkombëtar, pasi presidenti i vendit, Sali Berisha udhëhoqi prej dy vitesh një kurs antiperëndimor, manipuloi zgjedhjet, burgosi liderin e opozitës masakroi gazetarët kundërshtarë duke nxitur revoltë popullore kundër pushtetit të tij.

Ndërsa largohej nga pushteti, ai fajësonte perëndimin se po e hiqnin se donin të sillnin baza ushtarake amerikane në Shqipëri. Një herë deklaroi se kërkonin një bazë ushtarake në Bizë, një herë tjetër se donin një bazë ushtarake në Durrës e më pas në Sazan.

Natyrisht kjo ishte një gënjeshtër, por vetëdija e Sali Berishës se mund të largohej nga pushteti prej bazave ushtarake perëndimore reflektonte subkoshiencën e tij antiperëndimore.

E gjithë revolta e tij kishte të bënte vetëm me faktin se po ikte nga pushteti me mbështetje të SHBA dhe perëndimit në tërësi.

Të njëjtën politikë po ndjek dhe tani. Edhe pse sot, nga maja e penxheres i shprehu mbështetje bazës ushtarake të NATO në Kuçovë, (pa ja kërkuar njeri) çdo mbasdite mban nga një fjalim kundër SHBA dhe perëndimit që e ka sanksionuar “non grata” dhe familjarisht si hajdut, duke u përpjekur të krijojë një kontingjent taliban antiperëndimorë në Shqipëri.

Është kjo arsyeja që kur perëndimi flet për stabilitet politik në Shqipëri, nuk nënkupton se stabiliteti duhet të shtyp demokracinë, por vendi nuk duhet të destabilizohet nga politika antiperëndimore që ngjallin liderë popullsitë të tipit Sali Berishës.

E njëjta gjë vlen dhe për politikën e Kosovës. Baza e NATO në Kuçovë është një siguri më shumë për Kosovën, dhe një lajm I mirë për botën shqiptare, por NATO nuk mund të ruaj Shqipërinë dhe Kosovën nga shqiptarët antiperëndimorë.

Ajo është këtu për të na ruajtur nga rreziqe që mund të na vijnë nga larg.
Është kjo arsyeja që ndonjëherë në Kosovë njerëzit apo ithtarët e liderit populist bëhen nervozë pse Shqipëria i del kundër Kosovës duke qenë në anën e Perëndimit. Del dhe do të dal sa herë në Kosovë të ketë një politikan që i bën karshillëk perëndimit, pasi siguria kombëtare e shqiptarëve garantohet nga Perëndimi.

Nga rreziqet që I sjellim ne perëndimit në Shqipëri duhet të ruhemi vet, duke I izoluar liderët antiperëndimorë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ndryshe kjo baza e NATO që sot u inaugurua në Kuçovë, do të duket sikur është ndërtuar prap në Qytetin “Stalin”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin