MENU
klinika

Ndezin zhurmuese në sallë

Nis me tensione seanca plenare, Rithemelimi bllokon foltoren

07.03.2024 - 11:35

Ka nisur me tensione seanca parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, skenar ky i përsëritur prej disa muajsh nga opozita.

Deputetet e opozitës ndezën zhurmuese në sallë, ndërsa u vendosën para foltores së Kuvendit. Ndërkohë, garda u rreshtua para tyre.

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, e cila drejton sot (7 mars) seancën i kërkoi gardës të largohej nga foltorja.

Gjithashtu iu drejtua deputetëve të opozitës duke u shprehur se sjellja juaj sot do të duhej të ndryshonte në respekt të dy ditëve të rëndësishme, siç është festa e mësuesve dhe festa e gruas.

“Grada a mund të spostoheni në të dy dyert e hyrjes së Kuvendit. Ju lutem Gardës të spostohet. Kolegë sot është një ditë e veçantë, me emocion për shumëkënd dhe në respekt të kësaj dite, por jo vetëm të 7 Marsit por edhe 8 Marsit, do të doja që në emër të Kuvendit të Shqipërisë të uronim mësuesit, pedagogët, edhe mendoj që do ia vlente sadopak respekti sepse shqiptarë nuk kanë në axhendë sot, atë që kemi ne në axhendë, por kanë dy ditë të shënuar, kështu që nuk kërkoj t’ju imponohen, por sjellja juaj sot do të duhej të ndryshonte në respekt të dy ditëve të rëndësishme, siç është festa e mësuesve dhe festa e gruas”, tha ajo.

Mazhoranca pritet të miratojë sot ligjin për investimet strategjike.

PR.LIGJET

Fillimisht do të diskutohet projektligji për “burimet ujore”, më tej do të jetë projektligji për “Turizmin”. Po ashtu, në rend të ditës është edhe projektligji për “Investimet Strategjike”, si dhe projektligji për “Mbrojtjen e konkurrencës”. Në fund, është dhe pika e diskutimeve jashtë rendit të ditës.

Sakaq, dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Rithemelimit, u diskutua mbi skenarin që do të ndiqet sot në seancën plenare. Mësohet se do të vijojë po i njëjti skenar, ai i bllokimit të punimeve të seancës, ndërsa tre deputetë u përjashtuan dje.

Bëhet fjalë për Flamur Nokën, i cili u përjashtua me 30 ditë nga punimet e Kuvendit, Bledjon Nallbati me 20 ditë dhe Saimir Korreshi me 5 ditë.