Ndihmës Sekretari amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson do të zhvillojë një vizitë dyditore në Kosovë, në datat 20-22 mars.
Siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, Robinson do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, por jo me kryeministrin Albin Kurti.
Nga ana tjetër, zyrtari amerikan i cili në dy ditët e fundit ishte për vizitë në Tiranë, pati takim edhe me kryeministrin Edi Rama.
“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët e INL-së në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Me Kurtin s’u takua as zyrtarja e lartë e USAID-it, Erin McKee, e cila pati takim vetëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Mungesa e takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë me Kurtin vjen pas acarimit të raporteve mes Qeverisë Kurti dhe Administratës Biden.
Këtë e ka bërë të ditur edhe emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se në pothuajse tri vite të Qeverisë Kurti nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë “mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”.
“Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, deklaroi Escobar.