MENU
klinika

1 vit nga marrëveshja në Ohër

Përplasjet Kosovë-Serbi, reagon Rama: Zbatimi i marrëveshjes është thelbësor për paqen në Ballkan

18.03.2024 - 10:55

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjet Kosovë-Serbi, teksa sot shënohet 1 vjetori i marrëveshjes së Ohërit.

Rama u kujton drejtuesve të dy shteteve se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

‘Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit Evropian të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në. Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës.’, shkruan Rama.

Për zbatimin e marrëveshjes, reagoi dje edhe shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ai u bëri thirrje të dielën Kosovës dhe Serbisë që t’u japin fund krizave e tensioneve, dhe të fillojnë një epokë të re evropiane, duke zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Borrell i bëri këto komente në një komunikatë në prag të përvjetorit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër me 18 mars të vitit 2023.

Me 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje normalizimi e cila nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kovaçevski në takimin me Ramën

“Kurti dhe Vuçiç të sillen si burra shteti!”