MENU
klinika

Priten të tjera arrestime?

Prokuroria e Hagës kryen operacione në Kosovë

07.03.2024 - 13:05

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se po kryen operacione në Kosovës, duke mos dhënë më shumë detaje.

Radio Evropa e Lirë pyeti ZPS-në nëse Hajredin Kuçi, pjesëtari i ekipit mbrojtës të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, është arrestuar, por ky institucion nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje.

REL merr vesh se Kuçi më 7 mars është shoqëruar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX), por nuk dihet nëse ai është arrestuar apo vetëm po merret në pyetje nga zyrtarët e Prokurorisë së Specializuar.

Kuçi, në të kaluarën ka mbajtur poste të larta shtetërore, përfshirë edhe atë të ministrit të Drejtësisë në kohën kur deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2015 votuan për themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që njihen ndryshe si Gjykata Speciale.

Mediat në Kosovë më 7 mars kanë raportuar se po kryen bastisje në shtëpinë e Sylejman Selimit, ish-komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këto raste, REL-i i është drejtuar EULEX-it, por nga ky institucion ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri më tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ndër gjykimet që po vazhdon është edhe ai ndaj Veselit, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Ata kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë./rel

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!