MENU
klinika

Marrëveshja me Berishën

Sot nis paqja në Kuvend, PS mblidhet për të diskutuar komisionet hetimore

18.03.2024 - 10:53

Të premten e 5 marsit u finalizua marrëveshja mes Rithemelimit të Sali Berishës dhe Partisë Socialiste për rikthimin e normalitetit në Kuvend.

Pas marrëveshjes ditën e sotme pritet të nisë rikthimi i qetësisë si dhe ballafaqimet mes palëve në Komisionet Parlamentare.

Ditën e sotme është parashikuar dhe mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste pikërisht në kuadër të kësaj marrëveshje. Mbledhje në të cilën do të diskutohen qëndrimet që mazhoranca do të mbajë në komisionet parlamentare, komisionet hetimore si dhe komisionet e reformës zgjedhore.

Komisionet parlamentare që deri tani janë mbajtur online vetëm me prezencën e socialistëve tanimë, sipas vetë Kuvendit do të mbahen fizikisht.

PS dhe PD kanë arritur marrëveshjen, për të ngritur një Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi si Check-up dhe Sterilizimi dhe një Komisionin Hetimor për nxjerrjen e të dhënave të sistemit TIMS.

Komisioni Hetimor do të përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe gjashtë anëtarë propozohen nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe 8 anëtarë propozohen nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Puna e komisionit do të zgjasë 4 muaj, por mbetet e hapur mundësia për shtyrjen e këtij afati. Këta dy komisione ishte pjesë e diskutimeve të ditëve të fundit mes kundërshtarëve politikë, të cilët arritën një marrëveshje për rikthimin e normalitetit në sallën e Kuvendit me plotësimin e një pjese të kërkesave të demokratëve.

Gjithashtu, është rënë dakord që të miratohen ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Pra në këmbim të Komisoneve opozita ka rënë dakort për miratimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota siç është Amnistia Penale.