Avokati Spartak Ngjela prej disa kohësh kishte thënë se po shihte mundësinë që të rikthehej në politikë, e duket se e ka vënë në zbatim pasi u shfaq edhe në krah të Lulzim Bashës. Ai e ka zgjedhur si aleatin kryesor, për të cilin ka ndryshuar mendim që nga zgjedhet e kaluara, kur e cilësonte vazhdimisht si një eksperimet të dështuar.
“Edhe mund ta kem thënë, por në politikë jemi. Atëherë e kisha kundërshtar, por në muajt e fundit shoh që ai ka ngritje”, ka thënë Ngjela.
Ngjela i ka kërkuar Bashës që ta bazojnë aleancën në një marrëveshje të shkruar, ku të përcaktohen tre pikat kryesore të aleancës.
“Duhet një marëveshje bashkimi, e cila kërkon një strukturë juridike. Duhet përcaktuar sesi do të jetë fushata elektorale, pra kush do ta drejtojë fushatën dhe me çfarë platforme. Dhe e treta janë sa dhe cilat vende do të ketë çdo parti në listën garuese të koalicionit”, tha Spartak Ngjela në RTSH.
Deri tani, siç pohoi avokat Ngjela, kërkesa e tij nuk është refuzuar nga Lulzim Basha, por nuk ka avancuar në dakordësi konkrete.