Në “Paketën e Zgjerimit” të nëntorit 2023, Komisioni Evropian publikoi një nismë të re të rëndësishme të Planit të Rritjes për të rritur gatishmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimi Evropian.
Atyre u është propozuar një ndihmë financiare prej deri 6 miliardë euro për vitet 2024-2027, në varësi të plotësimit të kushteve që do të specifikohen në kalendarin e reformave.
Aspektet pozitive
Ideja që krahas rritjes së gatishmërisë për anëtarësim duhet të ndërtohen në një mënyrë progresive edhe avantazhet e anëtarësimit, në vend se të shtyhet gjithçka deri në momentin e anëtarësimit, është më se e justifikuar.
Barra e të qenit në përputhje me të gjitha ligjet dhe politikat e BE-së është jashtëzakonisht e rëndë, dhe koha që nevojitet për ta bërë këtë kërkon shumë vite. Për më tepër, anëtarësimi i plotë në Bashkimit Evropian është bërë gjithnjë e më iluzor, i kushtëzuar nga reformat e brendshme paralele dhe politikisht sfiduese të BE-së, të cilat kanë një rezultat të pasigurt.
Kjo gjë i vendos shumë nën presion kapacitetet politike për të mbështetur procesin. Kësisoj, Plani i Rritjes synon që të krijojë avantazhe të dobishme financiare në mënyrë progresive paralelisht me paketat e negociuara të masave që e rrisin përputhshmërinë me normat dhe rregulloret e BE-së.
Ai synon që të vendosë në dispozicion të këtyre vendeve stimuj të prekshëm për përparimin me reformat. Po ashtu, ky plan përfaqëson një lëvizje të Komisionit Evropian në drejtim të propozimeve të pavarura për të reformuar metodologjinë e zgjerimit, veçanërisht nën titullin e Anëtarësimit në Faza.
Për më tepër, ai jep një kontribut modest drejt mbylljes së hendekut në lidhje me fondet e vëna në dispozicion të vendeve anëtare, siç ishte Kroacia përballë vendeve anëtare. Ndërsa synimi i tij për të kontribuar në pasjen e një përputhshmërie më të madhe ekonomike mund të jetë tepër ambicioz, së paku ai mund të ndihmojë në shmangien e hendekut midis gjashtë 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe fqinjëve të tij të BE-së.
Dobësitë e planit
Kjo nismë ka shkaktuar reagime të ndryshme në rajon. Ndërsa udhëheqësit e rajonit e mirëpritën iniciativën në një mbledhje jo zyrtare në fund të janarit në Shkup të Maqedonisë së Veriut, shumë analistë e kanë kritikuar ashpër atë si një dhuratë e vjetër në një paketim të ri.
Plani i Rritjes siguron jo pak fonde shtesë për rajonin. Megjithatë, siç vë në dukje një opinion i fundit i Gjykatës së Audituesve, ekziston rreziku që kushtet për këtë plan të mos jenë mjaftueshëm ambicioze dhe ato të mos mund të maten siç duhet. Krahas dobësisë së konstatuar nga Gjykata e Audituesve, propozimi në formën e tij ka edhe një pengesë tjetër serioze.
Plani i Rritjes nuk ka asnjë lidhje me progresin e kërkuar nga procesi zyrtar i anëtarësimit, bazuar në hapjen dhe mbylljen e 35 kapitujve të klasifikuar në disa grupe. Sikurse është paraqitur deri më tani, duket si një rrugë më vete, paralelisht me atë të metodologjisë zyrtare të zgjerimit.
Komisioni Evropian mund të thotë se sukseset në zbatimin e Axhendave të Reformës të Planit të Rritjes, mund të përshtaten në mënyrë të përkryer me hapat e nevojshëm për mbylljen e kapitujve të ndryshëm të bisedimeve. Por proceset janë ende vetëm paralele.
Dorëzimi i kushteve të Planit të Rritjes, edhe kur është rënë dakord zyrtarisht nga Komisioni për të nxitur pagesat financiare, sipas propozimit aktual të Komisionit nuk ka një ndikim direkt tek negociatat e anëtarësimit për kapitujt dhe grupimet me shtetet anëtare në konferencat ndërqeveritare.
Korrigjimi i të metave
Këto të meta serioze duhet dhe mund të korrigjohen shumë lehtë. Për shembull, kushtet e detajuara të përcaktuara në Axhendat e Reformave të kërkuara mund të konfigurohen si angazhime për të rritur vlerësimet e kapitujve të specifikuar siç shihet në raportet e Paketës së Zgjerimit.
Më saktësisht, këto raporte voluminoze përmbledhin aktualisht gjendjen e avancimit për secilin kapitull në një vlerësim të përgatitjes për anëtarësim në një shkallë me 5 nivele: 1. Herët, 2. Disi herët, 3. E moderuar, 4. E mirë, 5. E përparuar.
Kështu, një paketë e caktuar reformash do të synonte në mënyrë të përmbledhur të rriste vlerësimet për kapitujt X, Y dhe Z nga “E moderuar” në “Mirë” etj. Ndërsa në bazë të kësaj do të ketë për çdo kapitull të përzgjedhur një listë të veprimeve të planifikuara, pas rekomandimeve në raportet e Komisionit Evropian.
Kjo do të krijonte baza objektive për arritjet sipas Planit të Rritjes, për të ndikuar në procesin formal të zgjerimit. Ndërsa shtetet anëtare të BE-së do ta ruanin fuqinë e tyre për të vendosur mbi kapitujt dhe grupimet, sukseset në zbatimin e Planit të Rritjes, do të krijonin së paku një supozim të mirë-strukturuar në favor të vendimeve të qëndrueshme nga Këshilli, që sot janë kronikisht të mbingarkuara me konsiderata politike.
Pa këtë lidhje, propozimi do të dukej si një zëvendësim i procesit të anëtarësimit, dhe jo si një nxitje për të, duke reduktuar kështu stimujt për t’u fokusuar tek anëtarësimi në BE dhe duke dobësuar aktorët politikë që po ushtrojnë presion për anëtarësimin.
Kjo duhet të shkojë me një reformë tjetër të vonuar prej kohësh, atë të arritjes të vendimmarrjen në Këshill mbi kapitujt dhe grupimet mbi bazën e shumicës së cilësuar, në vend të kërkesës për një unanimit, që aktualisht paralizon çdo vendimmarrje.
Përdorimi diskrecional i të drejtave individuale të vetos për çështje që nuk lidhen me kriteret e Kopenhagës, si në rastin famëkeq të trajtimit të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, e komprometon natyrën e bazuar në merita të procesit të pranimit, duke shkatërruar kushtëzimin dhe besueshmërinë e tij.
Ai e largon vëmendjen nga thelbi i procesit – reformat – si në vendet kandidate po ashtu edhe në BE. Kalimi tek shumica e cilësuar në fazat ndërmjetëse, është ligjërisht një çështje e thjeshtë për t`u vendosur nga Këshilli, pa kërkuar legjislacion, ndryshim traktati ose ratifikim.
Shënim: Florian Bieber, profesor i historinë dhe politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit. Nikola Dimitrov, drejtues i Qendrës Ballkanike për Politika Konstruktive dhe ish-Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut. Michael Emerson, bashkëpunëtor në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane (CEPS), Bruksel.