Më 16 tetor 2023 Samiti i Procesit të Berlinit; Më 28 shkurt 2024 Samiti Ukrainë-Evropë Juglindore; Më 29 shkurt 2024 Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Brenda 135 ditëve, në Tiranë janë mbajtur tre samite të rëndësishëm, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në kryeqendrën e zhvillimeve diplomatike të kontinentit. Dikur të pamësuar me takime të një niveli ndërkombëtar, tashmë ato kanë krijuar perceptimin se mbajtja e tyre në Tiranë është bërë dicka e zakonshme. Por më shumë se kjo e rëndësishme është se ato kanë bërë që faktorizimi i Shqipërisë të ngrihet në një shkallë më të lartë dhe kontributi i saj si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE të jetë jo dhe aq modest.
Nuk kishte parë kurrë më parë Shqipëria liderët e Evropës së bashku të qendronin në Tiranë siç ndodhi më 16 tetor. Që nga presidentja e komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ose siç njihet ndryshe doktoresha gjermane me 5 diploma dhe 7 fëmijë; Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ose ai që njihet ndryshe si belgu që ka aftësi të zgjidhë konfliktet mes shteteve; Olaf Scholz, kancelari gjerman që dikur ishte zëvendës i kancelares Angela Merkel, pikërisht ajo që e inicoi Procesin e Berlinit, e deri te krerët e tjerë të shteteve anëtare të BE-së si dhe të gjithë vendeve të Ballkanit.
Nuk kishte parë kurrë më parë Shqipëria atë që ndodhi më 28 shkurt, kur lideri i një vendi në luftë si Ukraina, Volodymyr Zelenskyy, të lëvizte rrugëve të Tiranës mëse i sigurtë dhe gjatë Samitit të merrte mbështetjen e madhe të një vendi të vogël, por me zemër të madhe që e mbështeti popullin e Ukrainës që në nisjen e luftimeve për çlirimin ndaj pushtimit rus.
Nuk kishte parë kurrë më parë Shqipëria atë që ndodhi më 29 shkurt kur Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, proklamoi planin për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, në prani të liderëve të këtij rajoni.
Por pyetja e madhe është çfarë fitoi Shqipëria nga mbajtja e këtyre tre samiteve të zhvilluar në Tiranë brenda një kohe kaq të shkurtër?
Së pari, pesha specifike në arenën ndërkombëtare të Shqipërisë është rritur ndjeshëm. Vendi ynë është konfirmuar jo vetëm një aleat dhe partner i besueshëm për Perëndimin, por si një faktor i rëndësishëm paqeje në rajonin e trazuar të Ballkanit. Sigurisht që e gjithë kjo nuk ka ardhur për meritë ekskluzive të kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës Partisë Socialiste. Edhe pse me shumë gabime gjatë këtyre 33 viteve, rënie në hone dhe mosarritje të pritshmërive, ky status i Shqipërisë është një fitore për të gjithë klasën politike shqiptare.
Ajo është meritë e të gjithë radhës së liderëve politikë të Shqipërisë që nisin që nga presidenti Sali Berisha dhe kryeministrat Aleksandër Meksi, Fatos Nano, Bashkim Fino, Pandeli Majko dhe Ilir Meta. Por edhe nga presidentët Rexhep Meidani, Alfred Mosiu, Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta. Dhe në fund, sigurisht që kjo ka ardhur edhe për meritë dhe aftësi edhe të qeverisjes socialiste në këto 11 vjet. Këto tri ditë Shqipëria u vizitua edhe për faktin se kjo klasë politike e ka bërë Shqipërinë si të vetmin shtet në Ballkan që nuk ka krijuar kurrë probleme me fqinjët siç edhe kanë patur apo kanë realisht të gjitha shtetet e Ballkanit, përfshirë edhe ato që aktualisht janë anëtare të BE-së.
Së dyti, Shqipëria fitoi satusin e një vendi që është jo thjesht një partner i sigurtë i SHBA dhe BE. Por një qendër që nëpërmjet samiteve të mbajtur, vendet e Ballkanit kanë treguar solidaritet veçanërisht për mbështetjen ndaj Ukrainës kundër Rusisë. Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit që shërben si kundërpeshë ndaj çdo përpjekjeje proruse në këtë rajon.
Së treti, këto tre samite treguan se Kosova ka dhe duhet të ketë vetëm një alternativë në situatën e konfliktit me Serbinë: koordinimin me SHBA dhe BE-në. Çdo agjendë tjetër është një dëm i madh dhe i pariparueshëm që i bëhet këtij shteti. Mospjesëmarrja e Albin Kurtit në Samititn e 29 shkurtit me justifikimin se kishte një vizitë në Irlandë është një dëmtim i kauzës së shtetit fraxhil të Kosovës dhe një kundërvënie ndaj BE-së si një shenjë e vendosjes së interesave të veta mbi atë të Kosovës.
Së katërti, Shqipëria fitoi të jetë pjesë e një projekti të madh të zhvillimit të rajonit të Ballkanit nga viti 2024-2027 dhe përfitimit nga paketa e 6 miliardë Eurove që jep BE për këtë rajon dhe të 30 miliardë Eurove të tjera mbi bazën e reformave që do të ndërmerren. Ajo që komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi e konfirmoi një Tiranë se ky projekt do të nxisë dyshimin e zhvillimit ekonomik, është një arritje e rëndësishme në situatën që po kalon vendi. E lidhur me Samitin e Procesit të Berlinit ky ishte një konfirmim i atyre që u thanë më 16 tetor po në Tiranë. Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal që do të kalojë disa faza është një nga arritjet më të mëdha në këtë aspekt që pritet t’i japë hov ekonomisë sonë.
Së pesti, Shqipëria është kthyer në bazë të rëndësishme ushtarake e SHBA dhe NATO-s si një aleate e madhe në luftën e Ukrainës ndaj Rusisë. Nëse e krahasojmë me çdo luftë tjetër të zhvilluar në kontinet, këtë herë historia për Shqipërinë do të shkruhet krejt ndryshe.
Nëse në Luftën e Parë Botërore vendi ynë u kthye në shesh beteje dhe në Luftën e Dytë Botërore u pushtua nga dy fuqitë në të mëdha të kohës që përbënin Boshtin e të Keqes këtë herë Shqipëria është toka që SHBA, NATO dhe BE kanë pjesë të tyre dhe kjo është garancia më e madhe e vendit tonë në çdo konflikt të mundshëm. Inagurimi sot i bazës së NATOS-s në Kuçovë është prova e madhe e kësaj garancie.
Sigrisht që me një distancë vetëm 1200 kilometra nga Ukraina, Shqipëria dhe trojet shqiptare kanë edhe një risk më të madh, por ky risk është i tillë po aq sa edhe vendet e Evropës Perëndimore dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë tonë.
Së gjashti, këto tre samite treguan dhe duhet të tregojnë se klasa politike në Shqipëri duhet të ndryshojë kursin dhe mënyrën e funksionimit në aspekt të nivelit të demokracisë. Ashtu siç vetë kryeministri Edi Rama tha se “Nuk ka drekë falas në BE”, kjo duhet të shërbejë edhe për Shqipërinë se nuk ka proces integrimi në BE nëse demokracia bënë hapa pas.
Heqja e të drejtës ndaj opozitës për komisionet parlamentare dhe largimi nga dialogu me opozitën janë element negativë që e kanë dëmtuar demokracinë në Shqipërinë politike. Si të tillë, vetë Rama dhe mazhoranca duhet të bëjnë hapa pas duke i dhënë hapësirën që i takon opozitës për të mirën e funksionimit të vendit.
Së shtati, këto tre samite treguan dhe duhet të tregojnë se vërtetë ato që janë arritur janë edhe fitore personale të kësaj mazhorance dhe të kryeministrit Edi Rama, por në këto procese duhet të përfshihet edhe opozita. Vërtetë Partia Demokratike ndodhet në situatën më të vështirë në këto 34 vjet, por kjo nuk do të thotë që kjo parti të përjashtohet nga pjesëmarrja në këto lloj angazhimesh. A mund të kemi integrim të Shqipërisë në BE kur mungon opozita? Zor se kjo pyetje mund të ketë përgjigje pozitive.
Së teti, këto samite treguan se rigjallërimi i industrisë së fjetur ushtarake në vendin tonë do të jetë një ndihmë jo vetëm për Ukrainën, por edhe për krijimin e vendeve të konsiderueshme të punës në Shqipëri.
Mbajtja së shpejti në Tiranë të një forumi me biznesmenë ukrainas do të shërbejë për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në këtë drejtim duke bërë që në Shqipëri të rinisë prodhimi i armëve dhe municioneve duke ju rikthyer industrisë që dikur prodhonte produkte ushtarake jo dhe aq modeste.
Kjo tregon edhe një herë se shkatërrimi i industrisë ka qenë një nga krimet më të mëdha që është kryer në vendin tonë pas rrëzimit të komunizmit. Vërtetë teknologjia e vjetër del jashë funksionit, por shkatërrimi dhe jo përmirësimi i teknologjisë, mbetet një dëm i pariparueshëm.
Projekti për rivënien në punë të uzinave ushtarake për prodhimin e produkeve për luftën në Ukrainë është sot prova e madhe e këtij gabimi. Do të ishte vërtetë një ndihmë e madhe për ekonominë shqiptare riaktivizimi i kësaj industrie me traditën e disa uzinave dhe një kombinat ushtarak si ai i Poliçanit në të cilat dikur prodhoheshin armë dhe municione të shumëllojshme e deri lëndë plasëse.
Së nënti, këto tre samite treguan edhe një herë se pavarësisht përpjekjet për ta afruar me Perëndimin duke e larguar nga Rusia, Serbia mbetet delja e zezë e rajonit. Veçanërisht BE, por dhe SHBA, vijojnë ta përkëdhelin këtë vend që është i vetmi që nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë që sulmoi Ukrainën. Ky është një karshillëk i hapur i këtij vendi që synon të bëhet anëtar i BE-së, por që ka aleat strategjik Rusinë e Putinit.
Së dhjeti, këto tre samite treguan impenjimin e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë union. Thirrja që pak ditë më parë bënë 7 vende anëtare të BE-së për këtë anëtarësim është një shenjë se samitet e mbajtura në Tiranë i kanë shërbyer shumë këtij afrimi. Prandaj, arritja më e madhe e samitit të 16 tetorit është projekti konkret që Ballkani Perëndimor të hyjë në BE deri në vitin 2030. Kjo do të ishte arritja më e madhe e rajonit dhe Shqipëria sigurisht që ka meritën e saj edhe me samitet e mbajtura në Tiranë.