Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit ka qenë kompromisi më i dhimbshëm i kësaj qeverie.
Sipas tij, zbatimi i vendimit u kthye në formë kompromisi në janar të këtij viti, për të siguruar vendin në Këshillin e Evropës.
“Manastrin e Deçanit, për nëntë vite na kanë thënë bëjeni se e keni obligim. Tash për herë të parë, prej janarit nuk është më bëjeni se e keni obligim, por bëjeni se mund të arrini një arritje shumë të madhe për Kosovën, që është Këshilli i Evropës, që i bie e ka formën e kompromisit e nuk mund të bëhet vetëm si diçka që Kosova e ka obligim sepse është vendim i dhimbshëm ky. Ky është vendimi më i dhimbshëm që Kosova e ka marrë”, tha Konjufca në Kanal 10.
Gjatë javës së kaluar kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se i kanë kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës ta zbatojë vendimin e Kushtetueses lidhur me 24 hektarë rreth Manastirit të Deçanit, për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës kishte para vetes dy opsione – të zbatojë vendimin e Kushtetueses e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, andaj tha se vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”.