Zbardhet drafti për projektligjin mbi policinë e Shtetit. Projektvendimi është hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Ministria e Brendshme.
Sipas relacionit, hartimi i projektligjit është bazuar në një analizë të kuadrit të mëparshëm ligjor për Policinë e Shtetit, në një vlerësim dhe analizë të thelluar të modeleve të ligjeve për policinë të vendeve të Bashkimit Evropian si Itali, Rumani, Kroaci, Slloveni dhe vendeve të rajonit.
Risi në projektligj është që kreu i Policisë së Shtetit do ketë mandat 5-vjeçar dhe do të zgjidhet me konkurs. Po ashtu dhe Drejtorët e Drejtorive vendore, të cilët do të kenë mandat 3-vjeçar.
Mes të tjerash projektligji synon përmbushjen e rekomandimeve kryesore të organizmave të BE-së dhe atyre ndërkombëtare, si dhe të vendeve partnerë për krijimin e kapaciteteve apo strukturave të munguara në Policinë e Shtetit.
Në projektligj parashikohet rikonceptimi i organizimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në një strukturë qendrore, administrative, jo-operacionale të policisë me qëllim rritjen e efiçiencës menaxheriale në drejtim dhe koordinim dhe zhvendosjen e kapaciteteve thelbësore në nivelin e departamenteve.
“Përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kryhet nëpërmjet një procedure transparente konkurrimi të kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore dhe shprehin interes për këtë pozicion. Ministri ngre një Komision ad hoc, i cili, pas procesit të vlerësimit të tyre, i propozon kandidaturat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ministri i propozon Këshillit të Ministrave kandidaturën për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Përbërja dhe rregullat e funksionimit të Komisionit ad hoch përcaktohen në Rregulloren e Policisë së Shtetit”, lexohet në draft ligji. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vitesh, me të drejtë ri-konkurrimi edhe për një mandat të dytë . E njëjta procedurë ndiqet edhe për Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. “Emërimi, lirimi dhe shkarkimi i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit bëhet me urdhër të Ministrit, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ministri ngre një Komision ad hoc, i cili shqyrton kandidaturat e propozuara për Zëvendësdrejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Përbërja dhe rregullat e funksionimit të Komisionit ad hoc përcaktohen në Rregulloren e Policisë së Shtetit”, thuhet në projektligj.
E njëjta procedurë do të ndiqet dhe për përzgjedhjen e drejtorive vendore, të cilët do të kenë mandat 3-vjeçar dhe të drejtë rikandimi për një mandat të dytë. Emërimet e drejtuesve të departamenteve do të realizohet me urdhër të Drejtuesit të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu propozohet që gradat inspektor, inspektor i parë dhe i dytë do të bashkohen në një gradë të vetme, të emërtuar inspektor. Ndërsa nga grada nënkomisar deri tek grada drejtues i parë, duhet të kenë përkatësisht nga 4 vite eksperiencë.