Në një intervistë ekskluzive për Anila Hoxhën, transmetuar këtë mbrëmje në “Top Story”, Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin Todd D. Robinson, u ndal ndër të tjera edhe te goditja e krimit të organizuar në vendin tonë.
Gjatë intervistës ai tha se gjatë një vizite në Peru dhe Ekuador kohët e fundit, vërejti praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine. Ai shtoi po ashtu se vërehej bashkëpunimi që kanë patur nga institucionet shqiptare, “policia prokurorët dhe ndonëse kjo marrëdhënie sapo ka filluar, ka filluar pozitivisht”.
I pyetur nëse Shqipëria është një nga portat hyrëse të kokainës në Europë, ai u përgjigj se “po”.
“Përgjigja e shkurtër është që po. Por përgjigja më e ndërlikuar është se sigurisht, Shqipëria nuk është e vetmja pikë hyrëse për Europën për të gjitha këto”, tha ai.
Anila Hoxha: Me institucionet e reja të reformës në drejtësi, a mund të themi ne me garanci të plotë se ka nisur fundi i pandëshkueshmërisë?
Todd D. Robinson: Është një pyetje e ndërlikuar. Nuk mendoj se mund t’ia dalësh që t’i japësh fund pandëshkueshmërisë. Por qëllimi është që të sigurohesh që për këtë pandëshkueshmëri, ka një çmim për t’u paguar. Dhe, duam t’i ndihmojmë këto institucione që po punojnë në këtë luftë kundër pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Duam të sigurohemi që kanë kapacitetin, që kanë forcën, dhe që kanë energjinë, dhe duam që ata të jenë të angazhuar në këtë luftë. Shqiptarët e zakonshëm, qytetarët shqiptarë e meritojnë këtë prej institucioneve të tyre. Dhe ata kërkojnë, është e qartë që e duan këtë sepse të gjitha këto institucione kanë mbështetje të madhe publike nga qytetarët shqiptarë. Dhe për sa kohë e tregojnë mbështetjen e tyre, e dimë që po bëjmë gjënë e duhur dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt këtyre qëllimeve.
Anila Hoxha: Në kohë të ndryshme, janë goditur dhe janë vendosur para akuzave anëtarë grupesh kriminale ndërkombëtare në fushën e narkotrafikut. Sa prezente është DEA në Shqipëri dhe cili është vlerësimi për institucionet ligjzbatuese shqiptare?
Todd D. Robinson: Ata po marrin pjesë në hetime anembanë botës. Dhe mendojmë se kjo është diçka e mirë. Pata privilegjin të udhëtoja në Peru dhe Ekuador kohët e fundit dhe atje vërenin praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine por vërenin edhe bashkëpunimin që kanë patur nga institucionet shqiptare, policia prokurorët dhe ndonëse kjo marrëdhënie sapo ka filluar, ka filluar pozitivisht. Dhe mendoj se institucionet shqiptare po tregojnë kapacitetin për t’i kryer këto hetime komplekse dhe janë të afta ta bëjnë këtë për shkak të bashkëpunimit të shkëlqyer mes partnerëve të tyre në Shtetet e Bashkuara dhe partnerëve të tyre në Bashkimin Europian.
Anila Hoxha: Këtu në Shqipëri, Agjencia kundër Drogës (DEA) ka vendosur dy kontakte – në ËhatsApp dhe një adresë email – për këdo që mund të informojë në lidhje me çështje të drogës dhe pastrimit të parave. Pse u vendos ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët? Pse kërkuat informacione drejtpërdrejt prej tyre?
Todd D. Robinson: Roli i qytetarëve në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është në krye. Është përgjegjësia e kujtdo që t’i bashkohet kësaj lufte. Përgjegjësia e qeverisë është e madhe, por edhe qytetarët shqiptarë luajnë rolin e tyre. Janë ata që preken më shumë nga kjo pandëshkueshmëri, nga ky korrupsion dhe duhet të kenë një vend ku të shkojnë dhe t’i thonë dikujt se çfarë po ndodh dhe të raportojnë se çfarë është e gabuar dhe të presin që institucionet qeveritare do të bëjnë pjesën e tyre dhe detyrën e tyre për t’i ndjekur këto dhe për të kryer hetimet që janë të nevojshme për t’i sjellë përgjegjësit përpara drejtësisë.
Anila Hoxha: Bazuar në informacionet që ju dispononi, a janë treguar të gatshëm shtetasit shqiptarë që të japin informacione të rëndësishme për narkotrafikun dhe pastrimin e parave që vijnë nga droga?
Todd D. Robinson: Me sa kam kuptuar, sistemi po funksionon shumë mirë, shqiptarët në fakt po luajnë rolin e tyre dhe institucionet shqiptare e mirërpresin këtë informacion.
Anila Hoxha: A mund të themi se këto dy pika kontakti për të informuar dhe për të qenë në kontakt me DEA-n u vendosën pikërisht edhe për shkak të prezencës së shtuar të grupeve shqiptare në Amerikën Latine?
Todd D. Robinson: Absolutisht. Ajo që kemi parë është se këto rrjete kriminale ndërkombëtare shqiptare, meksikane, kolumbiane, nuk respektojnë kufij. Janë institucione globale. Keni praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine, keni praninë e rrjeteve kriminale meksikane dhe kolumbiane në Europë dhe Azi. Ajo që është e qartë është se në shumë mënyra, ata punojnë bashkë për ta vazhduar veprimtarinë e tyre të jashtëligjshme. Dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë më mirë për të bashkëpunuar përtej kufijve, duke respektuar kufijtë e njëri-tjetrit, por përtej kufijve me shkëmbim informacioni dhe duke ndihmuar me operacionet. Nëse nuk e bëjnë, fitojnë kriminelët. Dhe nëse e bëjnë, atëherë bëjmë shumë përparim drejt heqjes së atyre fitimeve nga duart e këtyre rrjeteve kriminale, fitime që lejojnë korrupsionin, fitime që lejojnë pandëshkueshmërinë. Nëse mund t’ua heqim nga duart këtë, do kemi bërë shumë përparim drejt ndalimit të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë që na prek të gjithëve.
Anila Hoxha: Raporti i Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Narkotrafikut i vitit 2023 evidentoi se Shqipëria vazhdon të jetë burim kanabisi dhe vend kyç tranziti për grupet e krimit të organizuar që lëvizin narkotikët në tregjet europiane? A është Shqipëria një nga portat hyrëse të kokainës në Europë?
Todd D. Robinson: Absolutisht. Përgjigja e shkurtër është që po. Por përgjigja më e ndërlikuar është se sigurisht, Shqipëria nuk është e vetmja pikë hyrëse për Europën për të gjitha këto. E shohim në të gjitha portet, kudo në Europë, shohim narkotikë që shkojnë nga Amerika Latine në porte të ndryshme në Europë; shohim kimikatet bazë që vijnë nga Kina nëpër portet e Europës, në Shtetet e Bashkuara dhe në Meksikë. E përsëris, kjo është një sfidë globale. Shqipëria kohët e fundit iu bashkua Koalicionit Global Kundër Drogave Sintetike. Ky është një problem global dhe asnjë vend nuk merret dot me të i vetëm. Duhet të punojmë së bashku si bashkësi ndërkombëtare, duhet të rrisim rrjetin tonë global, ashtu si kriminelët e organizuar e ndërkombëtarë kanë zgjeruar rrjetin e tyre, edhe ne duhet të tregohemi më të zgjuar, duhet të jemi më efiçentë, duhet të bashkëpunojmë më mirë përtej kufijve. Ky është qëllimi. Deri tani, institucionet shqiptare kanë qenë partnerë të shkëlqyer për këtë. Dhe presim që kjo të vazhdojë në të ardhmen.
Anila Hoxha: Pse është i vështirë hetimi i parave që vijnë nga droga dhe cili është sugjerimi, cila është zgjidhja që autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri të jenë efiçente për të goditur pastrimin e parave?
Todd D. Robinson: Këto janë hetime të ndërlikuara, komplekse që ndodhin, siç e përmendëm, janë rrjete globale. Ato lëvizin para në shumë mënyra, përmes sistemit banker tradicional, por edhe sistemeve bankare kibernetike, sistemeve bankare online, po gjejnë gjithnjë e më shumë mënyra novatore për të fshehur paratë e tyre. Kjo nuk është diçka e lehtë. Dhe prandaj Bashkimi Europian, bashkësia ndërkombëtare, agjencitë nga Shtetet e Bashkuara punojnë kaq ngushtë me partnerët tanë në Shqipëri, duke iu dhënë atyre kapacitetet për t’i bërë këto. Po bëjnë një punë të shkëlqyer tani, por ka shumë më tepër për të bërë. Mund të ndihmojmë me ndërtim kapacitetesh, mund të ndihmojmë me shkëmbim informacioni, mund të ndihmojmë me kontakte në vende të tjera kudo në botë. Po i bëjmë të gjitha këto për t’iu dhënë të gjitha institucioneve shqiptare mjetet që iu duhen për ta luftuar këtë pandëshkueshmëri, këtë korrupsion, këtë kriminalitet global.
Anila Hoxha: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur në mënyrë të pandërprerë drejtësinë shqiptare dhe institucionet e drejtësisë që të jenë sa më efiçente. A janë këto institucione me të njëjtat kapacitete si aleatët dhe ndërkombëtarët për të marrë pjesë me ta në operacione ndërkombëtare?
Todd D. Robinson: Mendoj se përgjigja e shkurtër është po, ata kanë disa kapacitete. Por kjo është një punë në vazhdimësi dhe kapaciteti i tyre rritet me kohën. Arsyeja pse ne jemi këtu, arsyeja pse Departamenti i Drejtësisë dhe FBI dhe DEA janë këtu është për të bërë pikërisht këtë, për të ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve në mënyrë që roli i këtyre institucioneve të drejtësisë të mund të vazhdojë të rritet. Dhe e dini, do ju kujtoj se kur isha këtu në vitin 2024, në 2006, ne kishim biseda të ngjashme nëse Shqipëria kishte kapacitetin për të bërë x, y, apo z, për t’iu bashkuar NATO-s. Dhe tani ata janë një partner i fortë i NATO-s. Dhe askush nuk e mendonte këtë në 2004-2006. Ata kanë bërë shumë punë. Por ka shumë më shumë punë për të bërë. Dhe mendoj se shqiptarët, ajo çka qytetarët shqiptarë duhet të dinë, është se për sa kohë institucionet e Shqipërisë, institucionet e drejtësisë, institucionet kundër korrupsionit, për sa kohë që ata kanë vullnet të luftojnë kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, ata do gjejnë një partner të fortë te Shtetet e Bashkuara që ka vullnetin t’i shoqërojë ata në atë betejë.
Anila Hoxha: Sa herë që në Shqipëri bllokohen ngarkesa me kokainë, media në Shqipëri raportojnë shkurtimisht duke iu vendosur epitete individëve si baron i drogës, Eskobari i Ballkanit, e kështu me radhë. A ka individë dhe shtetas shqiptarë të cilët kryejnë aktivitetin dhe janë të këtyre përmasave në fushën e narkotrafikut në Shqipëri apo edhe në vendet e Amerikës Latine, të cilët po gjurmohen apo që janë personazhe shumë të dyshuar?
Todd D. Robinson: Do thoja se kriminelët e organizuar shqiptarë ndërkombëtarë janë në të gjithë botën. Ata kanë gjetur rrjete të mëdha kriminale me të cilat bashkëpunojnë. Dhe ata po mundohen në mënyrë aktive të dëmtojnë vendet tona, sistemet tona të drejtësisë. Ata po korruptojnë institucionet dhe po përfitojnë shumë nga veprimtaria e tyre kriminale. Siç e thashë më parë, është me rëndësi që ne të bëjmë gjithçka mundemi për t’u dhënë institucioneve shqiptare mjetet për të ndjekur ato grupe kriminale që veprojnë këtu në Shqipëri, ato që veprojnë në vende të tjera europiane dhe ato që po nisin të veprojnë në pjesët e tjera të botës. Për sa kohë ato vazhdojnë aktivitetin e tyre, bashkësia ndërkombëtare, qeveritë tona, kemi detyrimin të bëjmë gjithçka mundemi për t’i luftuar. Të mëdhenj apo të vegjël, nuk ka rëndësi, ne duhet të bëjmë ç’mundemi për t’i luftuar këto rrjete.
Anila Hoxha: Ju qëndruat në një takim me Kryeprokurorin e SPAK dhe – për t’iu kthyer sërish njoftimeve nga Ambasada për takimet me njerëzit e drejtësisë – kuptova që mesazhi juaj kryesor ose kishit përçuar një mesazh për kurajo dhe guxim tek njerëzit e drejtësisë që hetojnë dhe shpallin vendime. Mund të ndani me ne disa nga këshillat ose mesazhet që iu dhatë prokurorëve të posaçëm të SPAK gjatë këtyre takimeve?
Todd D. Robinson: Siç e thashë më parë, ne duam që ata ta dinë se kanë mbështetjen tonë. Ne i kuptojmë nevojat e tyre dhe atë që ata duam të marrin nga bashkëpunimi me ne. Ne duam që ata të kuptojnë se ne e dimë që nuk është e lehtë dhe ka ende shumë punë për të bërë. Por, si përfundim, mesazhi është: nëse ata kanë vullnetin të bëjnë punën e vështirë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar. Dhe nuk është vetëm SPAK-u, janë të gjitha agjencitë e pavarura. Është sistemi gjyqësor. Është sistemi i burgjeve. E dini, ne duam të punojmë me ministritë, duam të punojmë me ekzekutivin. Ne nuk duam të përjashtojmë askënd. Ne duam të jemi në një marrëdhënie gjithëpërfshirëse në mënyrë që kushdo, nga qytetarët e zakonshëm që përmende me parë, e deri te ministritë dhe institucionet e pavarura, institucionet e drejtësisë, ne duam që të gjithë të punojnë së bashku tani dhe drejt së ardhmes. Ne mendojmë se, e dini, ne duam të falënderojmë këto institucione për punën e tyre në të shkuarën, atë që po bëjnë tani, por më me rëndësi, atë që do të bëjnë në të ardhmen, për ta bërë Shqipërinë një partner më të mirë, për ta bërë Europën një partner më të mirë, dhe si përfundim, për ta bërë aleancën tonë globale më të fortë kundër këtyre kriminelëve të organizuar ndërkombëtarë.