Kosova ditën e djeshme ka hedhur një hap historik për aderimin në institucionin më të rëndësishëm të Europës, Këshilli i Europës.
Kosova arriti të marrë një mbështetje maksimale nga deputetët e Asamblesë Parlamentare. Asambleja Parlamentare ka votuar pro me shumicë votash që Kosova të avancojë edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës. Për Kosovën pro votuan 171 deputetë, ndërsa kundër ishin 29, 11 abstenuan.
Paraprakisht, Asambleja i hodhi poshtë me rend amendamentet e propozuara nga Serbia.
Më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë disa amendamente tjera që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi ika plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.
Tani, fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.
Kjo mbështetje historike ndaj Kosovës, ka tëbuar mediat në Beograd pro qeverisë së Aleksandër Vuçiç, të cilat shkruajnë se grekët i tradhëtuan ndësa spanjollët mbajtën e tyre.
Katër deputetë nga Hungaria, dy nga Qipro ishin kundër dhe nga pesë deputetë të Greqisë vetëm një votë kundër, shkruan B92.
Kundër ka votuar edhe një deputet nga Gjermania, dy deputetë nga Franca dhe një nga Italia. Kundër ishin shtatë anëtarë të delegacionit serb, si dhe Maja Vukiçeviç nga Mali i Zi, si dhe Snježana Novaković dhe Branislav Borenović nga Bosnja dhe Hercegovina.
Midis 11 abstenuesve ishte një deputet nga Mali i Zi, gjashtë italianë dhe tre moldavë, si dhe një gjerman, u njoftua në faqen e internetit të PSSE.
Pas miratimit të raportit të ish ministres greke, Dora Bakoyanis, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do t’i dërgojë një rekomandim për pranim Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtme, i cili merr vendimin përfundimtar me një shumicë prej dy të tretave të ministrave ose ambasadorëve që i përfaqësojnë. dhe të cilët janë të pranishëm në momentin e votimit.
Mbledhja e Komitetit të Ministrave duhet të mbahet nga data 16 deri më 17 maj në Strasburg./