Ish-gjyqtari i shumëpërfolur i “Plepave” Gjin Gjoni është shfaqur në publik dhe kësaj radhe ka gjetur strehë te “Rithemelimi” i ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai u zgjodh të shtunën në krye të “Rithemelimit” në qarkun e Lezhës.
Avokati i njohur Romeo Kara, i ftuar në “Special Report” në ABC News, u shpreh se vettingu ka qenë konceptuar fillimisht për pesë gjyqtarë, ndërsa në mesin e tyre ka qenë dhe Gjin Gjoni.
Ky i fundit zgjodhi të mos përballet me vettingun dhe kështu u largua nga drejtësia, për t’u rikthyer disa vite më pas, por kësaj here me petkun e politikanit.
Avokati Kara shtoi se rikthimi i Gjonit në politikë tregon se procesi i vettingut duhet të korrigjohet.
“Nuk jam i habitur, është një nga 5 gjyqtarët për të cilët është konceptuar ky vetting. Përfaqëson drejtësinë e korruptuar të marrë peng nga politika, dhe strumbullari i kësaj politike që quhet Berisha. Nuk pati guximin të përballet me vettingun, dhe ardhja e tij tregoi se vettingu duhet të korrigjohet. Për mua të jetë e detyrueshme dhe këta persona, që janë të pamoralshëm të drejtësinë, të mos qëndrojnë në asnjë pushtet tjetër, qoftë legjislativ apo ekzekutiv. Këta e kanë mbushur kupën për të mos qenë pjesë e tre pushteteve. Gjin Gjoni është i përfolur për pasurinë e tij”, tha avokati”, tha ai.
Ai shtoi se të gjitha zyrtarët e drejtësisë, që nuk e kanë kaluar vettingu duhet t’u konfiskohet pasuria. Sipas avokatit, ka ardhur koha që vettingu shtrihet edhe në politikë.
“Fakti që po vjen në politikë tregon që Rithemelimi tenton për të forcuar pandëshkueshmërinë. Me Gjin Gjonin, Rithemelimi e ka humbur moralin. Mendoj se po, nuk pati guxim për t’u përballur. Personat që nuk kalojnë vettingun duhet t’u konfiskohet pasuria deri në fund. Duhet të bëhet dhe vettingu në politikë.”, u shpreh ai.