Hulumtuesja në Fondacionin Amerikan për Mbrojtjen e Demokracive, Ivana Stradner tha se ka shumë gjasa që Kosova të jetë Ukraina e re.
Teksa ka komentuar reportazhin e gazetës britanike “The Telegraph”, ekspertja, e cila disa javë më parë publikoi analizën me titull “Putini dëshiron luftë në Ballkan”, rikthen në vëmendje alarmet e lëshuara nga Inteligjenca Amerikane për rrezik të lartë për tensione ndëretnike në Ballkan dhe frikën e Shtëpisë së Bardhë se Serbia mund të nisë një pushtim ushtarak të Kosovës vitin e kaluar.
Ajo përmend me shqetësim sulmin në Banjskë.
“Ky ishte raundi i parë, ka shumë gjasa që mund të shohim një raund të dytë. Mos harroni që Serbia nuk operon më me tanke dhe avionë. Grupet paramilitare janë shumë të rëndësishme për qëllimet e Vuçiçit për të mohuar përfshirjen”, thekson ekspertja.
Ajo bën thirrje që t’i kushtohet një vëmendje e veçantë operacioneve të forcave speciale serbe, teksa thekson se Amerika dhe Britania e dinë mirë se çfarë po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë.