Një protestë e sindikatave greke ka ‘paralizuar’ qarkullimin në të gjitha pikat kufitare Shqipëri-Greqi.
Për shkak të një proteste që do mbahet nga doganierët grekë, nuk do lejohet kalimi i mjeteve nga sot deri më 4 prill në pikat e kalimit kufitar, Qafë Botë, Tre Urat, Kakavijë dhe Kapshticë.
Kalimi do të ndalohet nga data 2 prill deri më datë 4 prill, për mjetet e vogla, mjetet e tonazhit të rëndë (kamionët), autobusët dhe shërbimet taksi. Pra, nëse mjete apo kamionë nisen nga Shqipëria për në Greqi, apo anasjelltas Greqi-Shqipëri, nuk do lejohet që të kalojnë përmes këtyre 4 pikave kufitare.
Përjashtime ka vetëm për këmbësorët dhe rastet e urgjencave, të cilët do mund të kalojën lehtësisht. Lajmërimi një ditë më parë ka bërë që shumë shtetas të lëviznin drejt Greqisë ditën e djeshme.
Sipas policisë gjatë 24 orëve të fundit nga Kapshtica kanë hyrë 2504 shtetas dhe kanë dalë 2335.
Doganierët grekë po protestojnë për kushte më të mira pune, rritje pagash si edhe shtim personeli.