MENU
klinika

Daily Mail apelon

“Kosovari me nënshtetësi angleze po mbahet në një burg ferri në Serbi!”

28.04.2024 - 14:00

Tabloidi britanik, Daily Mail ka shkruar për Sadik Durakun, 53-vjeçarin nga Kosova me nënshtetsi angleze, i cili më 17 prill u ndalua nga autoritetet serbe në vendkalimin kufirar Kroaci-Serbi në Batrovci teksa po shkonte për ta vizituar familjen e tij dhe po mbahet në paraburgim me pretendimet se “ka kryer krime lufte”.
Daily Mail shkruan se ai po mbahet gabimisht në një burg në Serbi të cilin dikush ia ka përshkruar mediumit si ferr.

Duraku u dërgua në Gjykatën e Lartë për Krime Lufte në Beograd dhe u akuzua si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për kryerjen e fyerjeve gjatë luftës në Kosovë.
Mediumi britanik shkruan se familja e tij thotë se kjo është e pamundur sepse ai ishte në Britani duke aplikuar për azil në vitin 1998 dhe nuk u lëvizi më nga vendi deri në vitin 2004.

Kritikët kanë akuzuar presidentin autoritar serb Aleksander Vuçiq për një marifet politik mes tensioneve në rritje midis qeverisë së tij nacionaliste dhe Kosovës, shkruan Daily Mail.

Në një peticion të postuar në internet, vajza e tij Suzana shkruan për arrestimin e babait të saj mbi akuza të rreme, duke kërkuar ndihmën e institucioneve britanike për lirimin e tij.
Për Sadik Durakun, vajza e tij shkroi se është “i sëmurë me sëmundje të zemrës” dhe se në vitin 2021 kishte një sulm dhe sot ka “një valvul që rrjedh dhe presion të lartë të gjakut”.

Daily Mail kujton se Vuçiq është akuzuar se kërkon ta imitojë aleatin e tij rus, Vladimir Putin duke nxitur tensionet me Kosovën.

Duraku, drejtor i një kompanie lavazhi me qendër në Brighton, do të qëndrojë në paraburgim derisa të dalë sërish në gjykatë muajin e ardhshëm, shkruan mediumi britanik, duke cituar një burim që u ka thënë se “situata është shumë serioze”, dhe se ai po qëndron në një burg ferri.

Në orët e para të 17 prillit Serbia i ndaloi dhjetëra autobusë me rreth 1.500 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë.