Amendamenti i Bardhit përjashton nga përfitimi një grup funksionesh kushtetuese, por lejon uljen e dënimit për një seri veprash penale në kompetencë të GJKKO-së për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë
Rithemelimi dhe Partia Socialiste kanë bashkuar votat për të kaluar Aministinë Penale sot në Parlament.
Kushti që nuk u negociua nga Rithemelimi ishte amnistia për të dënuarit nga GJKKO. Grupimi i Berishës ka kërkuar edhe disa ndryshime që janë vlerësuar nga PS dhe në seancë do të shihet me votë “marrëveshja” e dy javëve më parë.
Amendamenti i Bardhit përjashton nga përfitimi një grup funksionesh kushtetuese, të tillë si presidenti, kryeministri, ministra, zëvendësministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë të lartë të drejtësisë e të ngjashme, por lejon uljen e dënimit për një seri veprash penale në kompetencë të GJKKO-së për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, gjyqtarë, prokurorë apo persona fizikë të dënuar për korrupsion, abuzim me tenderat dhe të ngjashme.
Ky ndryshim në projektligj u jep ulje me 1 vit e gjysëm burg të dënuarve burra nga Gjykata e Posaçme dhe me 2 vit e gjysëm burg të dënuarve gra dhe të mitur nga e njëjta gjykatë, me kushtin që ata të mos mbajnë apo të mos kenë pasur kur kanë kryer veprën penale funksionet përjashtuese.
I pyetur nga BIRN nëse ky propozim shkonte në përputhje me aksionin e opozitës kundër korrupsionit, Bardhi tha se qëllimi i propozimit ishte të ndalonte uljen e dënimit për zyrtarët e lartë.
“Amendamenti i propozuar nga Grupi Parlamentar i PD-së përjashtohen shprehimisht nga çdo lloj përfitimi që rrjedh nga ky projektligj zyrtarët e lartë të hetuar apo të dënuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion”, tha Bardhi.
Ai këmbënguli se qëllimi i opozitës ishte ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta edhe si një mesazh për SPAK.
“Unë mendoj që GJKKO dhe SPAK duhet të përqëndrohen tek lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe për këtë Kuvendi duhet të japë mesazh politik të mbështetjes, duke mos parashikuar asnjë përfitim për këto raste”, shtoi ai.
3 amendamentet e propozuara nga Bardhi u përshëndetën edhe nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Vetë ai përmes një postimi në rrjete sociale një ditë më parë pohoi se këto kërkesa do të kenë dakordësinë e maxhorancës. Nga amnistia penale pritet të përfitojnë rreth 700 të burgosur.
Ndërkohë, në seancën plenare të ditës së sotme do të futen në rend dite për votim 5 ligjet e seancës së 7 marsit, votimi i të cilave u anulua nga Sekretariati i Etikës pas kërkesës së Rithemelimit se nuk pati kuorum për votimin e ligjeve.
Ndër këto 5 ligje, përfshihet edhe ai për zgjatjen me 1 vit të afatiti për ligjet për investimet strategjike, çështje të cilën opozita e ka kontestuar shumë. Po ashtu sot, deputetja Ina Zhupa ka kërkuar një interpelancë me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro për ligjin për zonat e mbrojtura.
3 propozimet e Rithemelimit
1.Propozim që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.
2. Propozim për përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.
3. Propozim për një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.
Ligji për Amnistinë Penale ka marrë në parim votat për tu miratuar në Kuvend. Kujtojmë se për këtë projektligj kërkohen 84 vota, ndaj do të duhen me patjetër votat e opozitës.