Rai 3 ua komplikoi jetën të gjithëve.
Edi Rama bëri një javë betejë me ta derisa u detyruan të pranojnë se ishin të njëanshëm në emisionin e tyre dhe sqaruan shikuesit se janë duke negociuar të kenë një intervistë me Edi Ramën. Kështu seria e dytë aq shumë e paralajmëruar nga gazetari I emisionit, madje dhe një ditë para afatit të transmetimit, nuk u dha.
Të gjithë ata që këshilluan Edi Ramën të mos merrej me Rai 3, dolën të gabuar. Ja që funksionon dhe sqarimi në distancë, kur në vend të gazetarisë bën politikë. Dhe kur bën politikë garën e ke me pelikanë dhe jo me gazetarë.
Opozita u torturua më shumë se Edi Rama. Pasi furnizuan Rai 3 me lehtësinë që furnizojnë “Syrin” e familjes Berisha, ata përgatitën gati dhe planin mujor të veprimtarive ku përfshiheshin interpelanca, debate dhe komisione hetimore bazuar në “faktet” e tyre të bëra publike në Shqipëri por tani të përkthyera në italisht. Këtij programi ju shtua dhe një kërkesë që Edi Rama të bënte autokratikë për kritikat ndaj Rai 3.
Tërheqja e Rai 3 nga emisioni I dytë futja në betejë e kryeministres Meloni, e cila akuzoi se e bëjnë atë ndaj një vendi mik që po ndihmon Italinë, u hoqi gurin e themelit të programit një mujor opozitarëve tanë këtu.
E gjithë axhenda mujore e opozitës ishte mbështetur tek emisioni I Rai, me shpresë se do bënin politikë me të. Në fakt politikë me të, arriti të bëj Meloni dhe Rama, të cilët ju përgjigjën përdorimit politik të Rai me politikë .
Tani të fundit që duken më shumë të mërzitur se të tjerët janë një pjesë e gazetarëve pro Berishës, të cilët shajnë si nëpër dhëmbë Rai 3 si kanal komunist. Në fakt kanal pro komunistëve italian është. Edhe pse jo e shkruar ekziston një marrëveshje mes palëve në Itali që transmetuesi publik është ndarë Rai 1 pro së djathtës, Rai 2 pro të majtës dhe Rai 3 pro fraksioneve komuniste apo të gjelbra.
Por kjo nuk I pengon të jenë gazetarë të mirë. Këta kur kërkuan ndihmë tek Rai 3 e dinin që ishte kanal komunist dhe nuk është se patën drojë të bashkëpunonin.
Problem real është se vet gazetarët në Shqipëri përfshi dhe këta të Berishës kanë thënë gjëra shumë herë më të rënda se Rai 3 për qeverinë, dhe ato që po thoshte Rai 3 ishin ripërtypje të cekëta të akuzave të tyre, të cilat dukej që dhe nuk ishin kuptuar aq mirë nga gazetari.
I vetmi ndryshim është se gazetarët këtu, e kanë shumë të vështirë të tërhiqen kur ja fusin kot, kurse ai I Rai e ka kuptuar që ka shkel në tokë të minuar me gënjeshtra, duke qenë tërësisht I njëanshëm dhe bazuar në thashetheme politike opozitare dhe thjesht është tërhequr për të korrigjuar standardin e gazetarisë.
Mërzitja e këtyre me Rai është pse po tenton të tregohet I përgjegjshëm dhe pse nuk sillet si tek ne këtu. Ky është problem I joni jo I Rai. Problemi I Rai, është kur tenton të bëhet si ne, jo kur kthehet në origjinën e tij.