MENU
klinika

Nga Mero Baze

Pse Berisha i imponon opozitës Argitën dhe Metën?

05.04.2024 - 19:27

Protesta e ditës së sotme para Bashkisë së Tiranës, nuk mund të thuash që nuk kishte shkak të bëhej e fortë. Kishte dhe mund të bëhej shumë e madhe.

Por në fakt përfundoi e vakët dhe e sforcuar.

Dhe arsyeja nuk ishte as Bashkia, as Erion Veliaj, që e akuzojnë si sabotator protestash apo kontrollues mediash. Arsyeja ishte vet opozita.

Sali Berisha i imponoi protestës si udhëheqës vajzën e tij Argitën, një person “non grata” në SHBA, dhe Ilir Metën, një person kandidat për “non grata” dhe subjekt i drejtësisë. Të dy po ashtu, me një perceptim sterrë në opinion publik.

Dhe Berisha ka arsyet e veta përse imponoi dyshen Argita- Ilir në këtë protestë.

Arsyeja e parë është se ai ka gjetur një moment kritik për Bashkinë e Tiranës, për t’i imponuar opozitës një dyshe që të bëhet e pranueshme për ta.

Duke menduar se e ka suksesin e garantuar si protestë, ai jo pa hile ofroi dyshen Argita- Ilir, që t’i legjitimonte ata si udhëheqës të opozitës. Dhe janë tipikisht dy njerëz me halle të njëjta, si me drejtësinë, ashtu dhe me opinionin publik apo partnerët ndërkombëtarë.

Por me sa duket as dita më e zezë për Erion Veliajn, nuk i bëri punë për të zbardhur Argitën dhe Ilirin. Përkundrazi, e bëjnë atë palë në betejën politike.

Arsyeja e dytë ka të bëjë dhe me mesazhin për ata që ka në parti dhe që mendojnë se janë shpëtimtarët e Berishës.

Duke imponuar dyshen Argita- Ilir, Berisha është duke u thënë që “pas Berishës, është prapë Berisha”, ndaj askush të mos ëndërrojë për lidership, por vetëm për të shërbyer.

Dhe së fundmi, imponimi i dyshes Argita- Ilir, është dhe për të treguar hallin e tij. Halli i tij, që është dhe halli i Ilir Metës, është si të bëjnë betejë me drejtësinë për të shpëtuar nga gjykimi.

Dhe e gjithë simbolika ishte e stampuar në bluzën e Argitës, e cila kërkonte liri për babain. Dhe e kërkonte lirinë për babin, para një ndërtese, ku tre vetë kanë shkuar në qeli para babait të saj.

Mesazhi i Berishës për PD, është i qartë, dhe është ai që e thotë Tritan Shehu, që atyre u duket si budalla.

Qëllimi është që PD të dalë në rrugë për të shpëtuar Sali Berishën. Çdo mision tjetër është vrastar për të. Dhe tek të vetmit që ka besim që i përmbahen këtij misioni, janë vajza e tij dhe partneri i tij halleshumë Ilir Meta, i cili një pjesë të halleve i ka të ngjashme me Berishën.

Ndaj mos mendoni se Berisha është i dëshpëruar që qytetarët zhgënjehen nga dyshja Argita- Ilir. Aspak. Ai është duke u thënë qytetarëve, që këta të dy kanë në krye. Po të duan të dalin, po të duan të rrinë në shtëpi, por ai ata të dy ka.

Në fakt, dhe ata të dy i kanë mbetur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN