Vota historike që iu dha Kosovës më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) e bën optimist kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti,se anëtarësimi i Kosovës do të jetë në rend të ditës edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të KiE, në mesin e muajit maj.
“Mbështetja e fortë për Kosovën me 82 për qind duhet të pasqyrohet edhe në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Ne po punojmë për të siguruar që Gjermania të vazhdojë vullnetin e saj pozitiv në Këshill dhe të na mbështesë në mënyrë që Kosova të pranohet si anëtarja e 47-të”, i tha ai DW në Berlin, në margjinat e një aktiviteti festiv, organizuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD) nëBundestag, me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Këshillit të Evropës. Albin Kurti mbajti aty një fjalë nderi, ku falënderoi në mënyrë të veçantë deputetët gjermanë për angazhimin e tyre për sigurimin e shumicës në Asamblenë Parlamentare në KiE.
Politikanë dhe ekspertë janë skeptikë
Por, ndërsa në prag të votimit të 16 prillit, Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në KiE, ishte mëse e sigurt se do të arrinte dy të tretat e nevojshme,tre javë përpara ministerialit ai është më i rezervuar me parashikime: “Nga këndvështrimi i sotëm, shanset janë 50/50 për qind. Hapi domethënës që arritëm me shumicën në Asamblenë Parlamentare sigurisht që ka lënë përshtypje tek qeveritë, ministrat dhe komisionet. Por ka ende shumë për të bërë”, tha politikani socialdemokrat për DW.
Edhe më skeptik është Gerald Knaus, kryetar i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, (ESI): Ne vëmë re që presidenti i Serbisë po bën një fushatë të sukseshme për të bindur shtetet kyçe në Evropë që të shtyjnë votimin për pranimin e Kosovës për momentin, duket sikur presidenti Vuçiç do ta fitojë këtë betejë”, i tha ai DW.
Qëndrimi i Gjermanisë i paqartë
Jo vetëm Franca, presidenti i të cilës ia bëri të qartë kryeministrit të Kosovës, në një telefonatë para disa ditësh,por edhe Gjermania duket se nuk është ende e bindur për anëtarësimin e Kosovës qysh tani në KiE, siç i thanë bashkëbiseduesit DW-së. ”Çelësi qëndron në Paris dhe Berlin. Gjermania nuk është prononcuar ende qartazi, por lë të kuptohet se është gati të luftojë për anëtarësim, nëse plotësohen disa kushte”, tha Knaus.
Edhe Frank Schwabe konfirmoi se disa vende po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë moment për të zhbllokuar dialogun e ngecur prej kohësh të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”Ka qeveri që tani duan të sjellin nga dera e pasme atë që nuk u arrit kurrë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se kjo është gabim”, tha Schwabe.
Knaus: Asociacioni është një krijesë fantastike
Konkretisht, ajo që duan të arrijnë vendet perëndimore është që ta shtyjnë Kosovën të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe Por, në një studim të publikuar së fundmi nga ESI, kjo kërkesë e qeverive perëndimore për të krijuar asociacionin përveç faktit që nuk hyn te kushtet e anëtarësimit në KiE, quhet absurde. Themeluesi i ESI-t, Gerald Knaus i tha DW-së se “Asociacioni” është joreal, i ngjashëm me “njëbrirëshin” e përrallave. “Nuk mund të presësh që qeveria të formojë një shoqatë kur anëtarët nuk e duan atë”, tha ai më tej. Edhe pse ekziston një draft-propozim për këtë asociacion, pjesë e Marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit 2023asnjë prej kryetarëve të zgjedhur të komunave serbe nuk është prononcuar për këtë draft, argumentoi Knaus më tej. “Përveç kësaj, në katër komuna në veri të Kosovës, aktualisht nuk ka përfaqësues të zgjedhur serbë që do të mbështesnin një asociacion të tillë, për shkak të bojkotit zgjedhor.”
Kurti: Asociacioni të mos shkëputet nga marrëveshja bazike
Këto argumente mesa duket nuk i bindin qeveritë e vendeve kyçe në KiE. Knaus është i mendimit se Kosova duhet ta sqarojë edhe më mirë situatën e saj dhe të tregojë se problemi nuk është në Prishtinë, por në Beograd. I pyetur nga DW se si po e menaxhon këtë presion nga jashtë, Albin Kurti, tha se krijimi i Asociacionit duhet të trajtohet në kuadër të Marrëveshjes bazike të Ohrit, e cila nuk është nënshkruar ende nga Beogradi, dhe jo të shkëputet më vete. “Ne jemi në të drejtën tonë”, tha ai. “Ne nuk i reduktojmë të drejtat e pakicës serbe në një formulim të asociacionit të komunave, por as nuk e mohojmë se këtë asociacion të komunave e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, si pjesë e 39 marrëveshjeve të tjera me Serbinë. Nuk jam dakord që ‘Asociacioni’ të nxirret nga marrëveshja bazike e të trajtohet më vete”.
Kosova para sfidës më të madhe diplomatike
Për Gerald Knaus dhe Frank Schwabe është një gjë e qartë: Kosovës do t’i duhet shumë punë diplomatike në javët e ardhshme. Përveç betejave të drejtpërdrejta diplomatike kundër fushatës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, sfidë përbën edhe fakti se në kancelaritë e Evropës mungon vëmendja ndaj vendeve të vogla, duke pasur parasysh problemet serioze me Ukrainën, Rripin e Gazës dhe kërcënimin Izraelit nga Irani.
Gjatë qëndrimit të tij dyditor në Berlin, kryeministri Kurti pati një sërë takimesh me dyer të mbyllura për të sqaruar pozicionin e Kosovës dhe për t’i bindur partnerët se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është në të mirë edhe të KiE. “Ministrat e jashtëm të Këshillit të Evropës kanë te Kosova një partner, që nuk synon vetëm të përfitojë nga KiE, por të kontribuojë”, i tha Kurti DW. “Sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut në Kosovë, janë jo vetëm më të mirat në Ballkanin Perëndimor, por edhe më të mira se në disa vende anëtare të Këshillit të Evropës”. Kurti takoi edhe ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, me të cilën diskutoi hapat që do të ndërmerren deri në takimin e muajit maj, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme gjermane në platformën X.
Martesat e së njëjtës gjini mund të përmirësojë pozicionin
Se a do të mjaftojnë argumentet e përsëritura të Kurtit, për të bindur Parisin e Berlinin të mos e shtyjnë vendimin për Kosovën, kjo nuk dihet ende. Knaus dhe Schwabe janë të mendimit se Kosova mund ta përmirësojë pozitën e saj, nëse arrin që brenda javëve të ardhshme të miratojë së paku ligjin për martesat brenda gjinisë, siç ka premtuar kryeministri Kurti. Kjo është një e drejtë njerëzore e caktuar me një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, organ ky i Këshillit të Evropës. Kosova do të ishte vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas Malit të Zi, që do ta bënte një hap të tillë, aspak të vetëkuptueshëm për optionin publik në vend, duke dëshmuar kësisoj se i merr seriozisht institucionet e Këshillit të Evropës, tha Knaus./ DW