MENU
klinika

Përkeqësimi i shpejtë i imazhit të demokracisë greke

Tre krizat që po shkundin Greqinë

15.04.2024 - 11:30

Gjatë 5 viteve që kanë kaluar nga zgjedhjet e fundit evropiane, 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë përjetuar disa trauma të njëpasnjëshme dhe të ndërlidhura midis tyre: pandeminë e Covid-19, krizën energjetike dhe pushtimin rus të Ukrainës, që tani është shndërruar në një luftë të gjatë në zemër të kontinentit.

Këto kriza kanë nxitur një përgjigje kolektive evropiane, e cila ishte e paparë më herët. Pavarësisht gjykimit mbi efektivitetin e tyre, është e pamohueshme që masat e marra e kanë sjellë politikën komunitare në jetën e përditshme të qytetarëve, ndonëse me dallime të mëdha dhe jo gjithnjë me pasoja pozitive.

Vaksinat, plani i rimëkëmbjes ekonomike dhe i qëndrueshmërisë, blerja e përbashkët e gazit natyror të lëngshëm (LNG), subvencionet e energjisë elektrike dhe investimet në furnizimin me armë të Ukrainës, janë shenjat më të dukshme të një prirjeje, e cila e ka futur konceptin  “më shumë Evrope” në jetën e 450 milion njerëzve.

Megjithatë, disa aspekte të kësaj qasjeje kanë gjeneruar probleme të reja. Mbi të gjitha, ato kanë nxjerrë në pah kontradiktat institucionale që karakterizojnë Bashkimin Evropian. Asnjë nga masat novatore me të cilat Evropa iu përgjigj 3 krizave të mëdha gjatë 5 viteve të fundit, nuk do të kishte qenë e mundur pa aktivizimin e klauzolës së vigjilencës së përgjithshme, instrumentit që lejoi lirimin për një periudhë 4-vjeçare të “këmishës së forcës” të paktit të stabilitetit (që ndër të tjera parashikon kufizime shumë të qarta mbi rritjen e shpenzimeve).

Duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë, mund të mendohet se shumica e qytetarëve evropianë, përfshirë ata grekë, do të votojnë më 9 qershor bazuar në kritere thjesht evropiane. Në fakt kjo gjë sërish nuk ka për të ndodhur, të paktën në Greqi.

Edhe nëse në programet e partive që konkurrojnë për votën e 9 milionë votuesve grekë (ose më saktë gjysmës, duke qenë se pjesëmarrja e pritshme është rreth 50 për qind), ka disa referenca për politikën evropiane, e vërteta është se zgjedhjet do të diktohen nga çështjet e brendshme politike.

Për partinë Demokracia e Re (ND) të qendrës së djathtë të udhëhequr nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, ky do të jetë testi i parë pas triumfit të dyfishtë elektoral në maj dhe qershor të vitit të kaluar, që përveç vendosjes së hegjemonisë politike të partisë së tij, shkaktoi një seri përçarjesh në radhët e opozitës, sidomos tek e majta.

Rënia e Syriza-s, që deri verën e vitit të kaluar ishte partia e majtë më e qëndrueshme në Evropë (edhe falë përvojës së qeverisjes midis viteve 2015- 2019), ka sjellë shfaqjen në skenë të 3 partive të reja që sot garojnë për të fituar votën e progresistëve:vetë Syriza, me liderin e ri Stefanos Kasselakis; e Majta e Re; dhe forca ekologjike Cosmos, e drejtuar nga eurodeputeti Petros Kokkalis.

Socialistët e PASOK-ut, dikur forca dominuese e qendrës së majtë, po përpiqen që t’i rrëmbejnë Syrizës vendin e dytë, ndërsa partia komuniste (KKE) synon të marrë një pjesë të madhe të votave anti-evropiane. Në të djathtën ekstreme, konkurrenca duket se favorizon formacionin politik më reaksionar, Zgjidhja Greke.

Në thelb, zgjedhjet evropiane të qershorit, do t’i japin mundësi grekëve të kuptojnë nëse do të ndërpritet apo do të vazhdojë qeverisja e Mitsotakis, dhe nëse humbja e pritshme e Demokracisë së Re do të favorizojë të djathtën apo të majtën.

Prandaj, në prag të këtyre zgjedhjeve, dinamika politike duket krejtësisht e shkëputur nga çështjet evropiane. Gjithsesi, është interesante të theksohet se vështirësitë e partisë qeverisëse, ushqehen nga tre ngjarje që kanë marrë një dimension të qartë evropian.

E para, ka të bëjë me skandalin e përgjimeve të disa gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë të Mitsotakis nëpërmjet softuerit ilegal Predator. Ky skandal doli në dritë edhe falë punës së gazetës sonë, Efimerida ton Syntakton. Episodi shënon kulmin e një sërie abuzimesh të kryera nga qeveria aktuale.

Për këtë arsye, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, e cila e vendos në të njëjtin nivel Greqinë dhe Hungarinë e Viktor Orban. Sipas vlerësimeve të institucioneve evropiane dhe oqj-ve të ndryshme, liria e medias në Greqi është në rrezik. Po ndodh gjithnjë e më shpesh që zyrtarë të qeverisë të padisin gazetarët vetëm për t’u mbyllur gojën apo për t’i dëmtuar ata financiarisht.

Sipas analizave të Parlamentit Evropian, përkeqësimi i shpejtë i imazhit të demokracisë greke, përkoi me 5 vitet e qeverisjes së Mitsotakis. Mbetet të shihet se çfarë ndikimi do të ketë e gjithë kjo në vendimin e votuesve në zgjedhjet e qershorit.

Kriza e dytë ka lidhje me aksidentin hekurudhor të marsit 2023, që shkaktoi vdekjen e 57 personave (kryesisht të rinj), duke ngjallur një zemërim dhe indinjatë të madhe në opinionin publik. Nga dinamika e aksidentit, u kuptua se për vite me radhë qeveria kishte menaxhuar në një mënyrë krejtësisht të pamatur fondet e mëdha evropiane dhe kombëtare, të destinuara për modernizimin e rrjetit hekurudhor, duke e lënë këtë të fundit në kushte të prapambetura dhe të rrezikshme për jetën e pasagjerëve.

Ndërsa qeveria dhe mazhoranca parlamentare u përpoqën me çdo mënyrë që të fshihnin përgjegjësitë e tyre, Prokuroria Evropiane hapi një procedim penal ndaj drejtuesve të hekurudhave për vonesën skandaloze të zbatimit të projekteve për modernizimin e infrastrukturës (e financuar edhe nga fondet evropiane), të cilat me siguri që do të kishin parandaluar një përplasje kokë më kokë të dy trenave, diçka e paimagjinueshme për standardet e sotme evropiane.

Së fundi, është për t’u marrë në konsideratë edhe revolta në sektorin e bujqësisë, që vitet e fundit ka votuar në masë për Demokracinë e Re. Pakënaqësia, e cila po shihet edhe në vende të tjera evropiane, ka të bëjë me një nga çështjet më të rëndësishme për Brukselin:Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) dhe marrëdhënien e saj me Marrëveshjen e Gjelbër evropiane.

Por megjithëse protestat e fermerëve grekë (dhe të vendeve të tjera) i kanë frikësuar jo pak udhëheqësit në Bruksel, nuk është e qartë nëse qeveria e Athinës (por edhe të tjerat në Evropë), është e gatshme të negociojë sërish mbi aspektet më të diskutuara të CAP-së për të përmbushur kërkesat e fermerëve. Në çdo rast, tashmë është për të gjithë e qartë se fermerët përfaqësojnë një trupë elektorale të paparashikueshme, të paduruar, mosbesuese dhe të paqëndrueshme.

Eksperti i sigurisë: Ja si do të përfundojë beteja e Rusisë

SHBA dhe Greqia mbyllin ambasadat e tyre në Kiev

“Kemi lidhur kontratë për t’i mësuar fëmijëve gjuhen shqipe”

Rama prezanton 8 mësuesit e parë në Greqi