MENU
klinika

Mero Baze

Albin Kurti gjithë betejat e i ka bërë kundër Perëndimit

16.05.2024 - 20:55

Ka shumë pak shanse që në minutat e fundit Albin Kurti dhe qeveria në Kosovë të korrigjojnë qëndrimin e tyre dhe t’i hjapin rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tri shtetet më të rëndësishme të Evropës, Gjermania, Franca dhe Italia janë bashkuar në qëndrimin e tyre, se manovrat e fundit të qeverisë së Kosovës për të devijuar rrugën e konsultimit për draftin e Asosacionit dhe akoma më keq, përpjekjet për të propozuar një draft të ri, ndryshe nga ai që ka propozuar zyrtarisht ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, janë të papranueshme dhe rrezikojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Në fakt fjala “rrezikojnë” është diplomatike, pasi duket se ata e kanë ndarë mendjen që të mos e pranojnë.

I kam parë sot përpjekjet e presidentes Osmani që të jetë në një linjë me Perëndimin, pa u konfrontuar me Albin Kurtin dhe po ashtu përpjekjet cinike të Albin Kurtit për ta konsideruar dështimin si vepër të armiqve të Kosovës.

Problemi serioz këtu nuk është pse po vonon anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Problemi këtu është se Evropa po dështon të ndihmojë Kosovën. Është hera e parë në historinë e Kosovës që një aksion diplomatik ndërkombëtar për të ndihmuar Kosovën të hedhë një hap para në integrimin euroatlantik me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pengohet me vullnet të plotë nga qeveria e Kosovës duke sajuar lojëra banale diplomatike dhe duke demonstruar vullnet kundër rrugës perëndimore të Kosovës.

Nga ana tjetër, akoma më shumë problem është përpjekja populiste për ta konsideruar mos anëtarësimin në Këshillin e Evropës si rezistencë ndaj Perëndimit.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës vlen për të afishuar rrugën evropiane të Kosovës, dhe qartësinë e prioriteteve të saj drejt Bashkimit Evropian në vitet në vijim.

Fatkeqësisht Kosova qysh me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, të gjitha betejat i ka bërë me Perëndimin. Duke filluar prej refuzimit të dialogut apo marrjes së angazhimeve pa i realizuar ato, e deri tek këto qëndrimet foshnjore për të sabotuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, janë një biografi cinike lufte kundër Perëndimit, për t’i rezistuar siç thotë ai, atyre që duan t’i diktojnë Kosovës fatin e saj.

Në të vetmin rast që Albin Kurti ka pasur në anën e vet Perëndimin, ishte kur paramilitarët serb tentuan të sulmojnë në Veri të Kosovës në Banjskë dhe vranë një polic, por dhe ai rast nuk është meritë e tij, por “meritë” e Aleksandër Vuçiqit dhe ushtarëve të tij në terren.

Tani pasi ka dështuar anëtarësimin në Këshill të Evropës, po kërkon të hyjë në zgjedhje për të votuar dhe sanksionuar qëndrimin antiperëndimor të qeverisë së tij.

Kështu bënte dhe Milosheviçi sa herë Perëndimi i kërkonte të reflektonte dhe bënte reforma. I fuste një palë zgjedhje dhe thoshte populli më votëbesoi kundër jush. Por në këtë rast viktimë nuk janë trushëplarët e tij, por Kosova.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN