Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Mbrojtjes në Londër ka përmendur rrezikun nga ndikimi serb dhe rus në Ballkanin Perëndimor.
Ai ka thënë se “armatimi i madh i Serbisë tregon se ajo po synon të përkeqësojë situatën në rajon”, raporton Koha.
Kurti ka thënë se Kosova po bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, ndërsa Serbia me Rusinë, Kinën e Iranin.
“Ndërsa Republika jonë bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, si SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në, Serbia intensifikon bashkëpunimin e saj me Rusinë, Kinën dhe Iranin” ka thënë Kurti, i cili gjithashtu ka përmendur raportin e publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, ku tregohet se 87 për qind e kosovarëve, mbështesin politikën pro BE-së dhe pro perëndimit.
Kurti në rrjetin social X ka thënë se është kënaqësi për të diskutuar në Londër sigurinë në rajonin e Ballkanit të Evropës.
“Një kënaqësi e madhe për të filluar ditën në MB me një fjalim kryesor në Konferencën e Mbrojtjes në Londër. Fola për rolin kritik të NATO-s dhe aleatëve demokratikë, si dhe për kërcënimin akut që autokratët paraqesin për sigurinë e Kosovës, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në tërësi”, ka shkruar Kurti.