MENU
klinika

Çfarë do të ndodhë me euron?

Banka e Shqipërisë ka ndalur rrokullisjen nën 100 lekë

31.05.2024 - 11:27

Gati 80 milionë euro në vetëm pesë muaj. Kaq valutë ka tërhequr nga tregu i këmbimit Banka e Shqipërisë, suke ndalur të paktën për momentin një rrokullisje të mundshme të euros poshtë 100 lekëve.

“Banka e Shqipërisë ka zhvilluar tre ankande në tremujorin e parë të vitit. Në këto tre ankande janë blerë rreth 33 milionë euro. Për sa i përket muajve prill dhe maj janë zhvilluar edhe katër ankande të tjerë ku mesatarja e blerjeve në ankande ka qenë edhe më e lartë se në tremujorin e parë”, tha Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetare në BSH.

Në total, deri në fund të vitit Banka Qendrore planifikon të realizojë 20 ankande për të blerë euron në tregun e këmbimit. Blerjet planifikohet të përshpejtohen në muajt e verës me 6 ankande vetëm në muajt qershor e korrik. Me ardhjen e vjeshtës, Banka planifikon të realizojë nga një ndërhyrje për secilin muaj, për të përmbyllur blerjet në 19 dhe 20 dhjetor 2024.

“Segmenti që synon të blejë banka e Shqipërisë është midis 250 mln euro dhe 330 mln euro. Ne kemi marrë parasysh edhe pjesës e sezonalitetit. Ka muaj ku janë parashikuar dy ankande dhe ka muaj ku janë parashikuar tre ankande”, tha Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetare në BSH.

Ndonëse me luhatje, sipas kursit të publikuar nga Banka e Shqipërisë një euro është këmbyer mesatarisht me 100.5 lekë. Po çfarë pritet të ndodhë me sezonin masiv turistik veror në prag? “Të gjithë operatorët e tregut duhet të vijojnë normalisht si te kërkesa ashtu edhe te oferta dhe jo të ndikuar nga sezonaliteti i momentit”, tha Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetare në BSH.

Vitin e shkuar Banka e Shqipërisë tërhoqi nga tregu valutor rreth 290 milionë euro. Ndërhyrjet e detyruara për shkak të zhvlerësimit të euros zgjeruan në 5.7 miliardë euro rezervën valutore. Këtë vit ajo planifikohet të arrijë në 6.3 miliardë euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Prek nivelin më të ulët në tre muaj

Çfarë po ndodh? Euro sërish në pikiatë

Rusët transferojnë kapitalet jashtë vendit

Ç’po ndodh në Rusi? Rubla pikiatë!