MENU
klinika

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli

Kush përfiton rritje page/ Detajet nga indeksimi i pensioneve

07.05.2024 - 11:31

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli ka folur për rritjen e pagave në sektorin publik. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Çoçoli shprehet se të gjitha kategoritë në shtet të cilat trajtohen me pagë 650-700 mijë lekë të vjetra do të përfitojnë nga skema duke iu shtuar vlerës së pagës së tyre nga 18-20% më shumë të ardhura në pagë. Gjithashtu, Çoçoli bën me dije se rritja e pagave në administratën publike do të nxisë edhe sektorin privat ku paralajmëron se dhe ky sektor do të trajtoj me paga më dinjitoze punonjësit, duke ndikuar pozitivisht në demografinë dhe mirëqenien e vendit duke frenuar largimin e të rinjve dhe moshës së mesme drejt vendeve të Europës. Nga ana tjetër, eksperti deklaron se edhe kategoria më pak e trajtueshme nga qeveria Rama dhe qeveritë ndër vite, jep lajmin e mirë, ku në tetor të këtij viti do të kenë rritje të vlerës së pensionit, jo vetëm indeksimin dhe bonusin që marrin në fund vit.

-Këshilli i Ministrave vendosi se prej datës 1 Korrik do të rriten pagat në sektorin publik ku do të arrijnë në nivel bruto 900 euro deri në vitin 2025 por ende nuk është e qartë se kush janë kategoritë të cilat do të përfitojnë?

Në këtë moment nga ana e qeverisjes duhet të ketë një informacion sa më të detajuar dhe të qartë ku fondet që janë caktuar në buxhetin e shtetit për rritjen. Janë bërë disa lajmërime për rritje më përpara duke bërë të ditur opinionit publik lidhur me rritjen e ndjeshme të pagave të mësuesve dhe disa kategorive të tjera të popullsisë. Konkretisht rritjet e pagave në administratën publike e marrin të gjithë punonjësit që janë rreth pagës mesatare. Me pagë mesatare në shtet kuptojmë kur paga arrin deri në 660 mijë lekë të vjetra. Rreth 120 mijë punonjës në administratën publike të cilët trajtohen me pagë 650-700 mijë lekë të vjetra do të trajtohen me rritje page me rreth 18-20%. Të gjitha llojet e kategorive të cilët marrin pagë deri në 700 mijë lekë të vjetra do të përfshihen në skemën e rritjes së pagës ku nga 1 Korriku do të marrin deri në 20% më shumë pagesë.

-Rritja në administratën publike a do të nxisë edhe sektorin privat për rritje pagash?

Sigurisht. Meqenëse në sektorin privat do të kemi më shumë të punësuar kjo rritje në administratë do të jetë si një lloj nxitje edhe për privatin duke parë rrogat që po bëhen shumë më interesante në administratë, mund të ndodh dhe dukuria e kundërt, ku punonjës të sektorit publik të kalonin në sektorin privat për shkak të nivelit të ulët të pagave në shtet.

-Ministri i Financave dhe Ekonomisë në një deklaratë ka thënë se do të ketë një paketë shtesë për kategoritë që trajtohen me ndihmë ekonomike, keni një koment?

Nga ana morale kjo është gjëja më e mirë pasi ne e dimë që niveli i ndihmës ekonomike në vend është shumë i ulët. Edhe për fajin tonë që kontributet e sigurimeve shoqërore apo pagesat në privat të trokohen me qëllim për t’i shpëtuar 17-18% të pagës që shkon për sigurime shoqërore. Duke pranuar që nëse në p.sh., paguhemi me pagë 10000 lekë të deklarohen 70000 lekë e duke bërë të tillë që të mos rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit apo dhe pensionet e duke u rendur Shqipëria si vendi me nivelin më të ulët të ndihmës ekonomike në Ballkan.

-Nga ana tjetër, rritja e pagës a do të ndikojë në demografinë e popullsisë, me ikjen masive të popullsisë dhe si niveli i ulët i lindshmërisë?

Ne kemi një popullsi në ikje duke shkuar në vende me punësim dhe pagesë më të mirë paguar. Ne kërkojmë që të rinjtë tanë dhe mosha mesatare janë shoqëri konsumi, që janë në raport pune të punojnë në vendin tonë dhe të mos largohen. Duke rritur konsumin kemi shanse që të kemi më shumë para dhe rritje ekonomike më të ndjeshme. Rritja e pagës duhej bërë më parë por kemi patur lakun e trefishtë që vendet rreth nesh nuk e kanë patur, por e kanë patur vetëm dyfish, kanë qenë shpenzimet e tërmetit rreth 1 miliardë euro, pandemia COVID-19, lufta Rusi-Ukrainë, e si të tillë e kemi të domosdoshme që të bëhet një hap i tillë. Por edhe privati e ka bërë një hap të tillë në një mënyrë spontane. Tani sektori i turizmit paga mesatare është rreth 1 milion lekë të vjetra duke e bërë një sektor konkurrues.

-Rritja e pagës ka shkuar në proporcion të drejtë duke rritur çmimet e ushqimeve të shportës, si dhe taksat, a sjell shqetësime kjo gjë?

Nuk është shqetësuese por ndikon pasi sa më shumë para të kesh në xhep, shpenzimet do të jenë më të larta. Rritja e kërkesës, rrit edhe çmimet. Rritjen e fortë të çmimeve të shportës e patëm vitin e kaluar deri në 4.8%. Këtë vit mund të jetë dhe më e lartë sesa inflacioni vjetor. Mesatarja e çmimeve të mallrave të shportës është më e lartë sesa mesatarja e çmimeve të tjera të shpërblimeve që nuk janë në shportë. Nuk do të shqetësohesha dhe aq pasi është një efekt dytësor negativ por na bën një efekt të madh pozitiv ku mban rininë duke bërë më tërheqëse punën në sektorin publik, nxit sektorin privat për rritje pagash dhe mban pjesën më kryesore të popullsisë në vend ku nuk do të thotë medoemos të jetë vetëm rinia por dhe mosha e mesme. Përfitimet janë shumë më të mëdha sesa një presion jo aq i lartë në rritjen e inflacionit për shkak të një oferte më të madhe sesa një kërkesë.

-Rritja e pagave në administratën publike a do të ndikojë duke dhënë një lajm të mirë kategorisë së pensionistëve për rritje apo indeksim të pensioneve?

Kemi thënë që indeksimi do të ndodhi pasi qeveria tashmë ka hedhur dhe fondet e angazhuara për këtë diku te 38 milion euro në muajin tetor. Por kjo nuk mjafton, por qeveria është duke e gjykuar dhe po pret rezultatet e treguesit të gjysmë vitit deri në korrik, për të parë më shumë sesa plani sa janë të ardhurat. Përveç bonusit të fund vitit të ketë dhe një bonus ndërmjet. Të jetë një bonus sa më shpejtë aq më mirë në mes vit për një kategori e cila është më e përvuajtur prej 770 mijë pensionistë, një bonus të periudhës së shtatorit pasi në gusht është pak e vështirë për shkak të shpenzimeve të pushimeve. Do të doja që ky bonus të mos jepej në mënyrë të njëtrajtshme por të shkallëzuar në nivel të ndryshme kategorizimi. Dhe ai 50 mijë lekëshi i vjetri të mos shkonte te kategoria me pension të ulët por në formë indeksimi të shkojë te ajo kategori pensionistësh të cilët marrin pension në vlera më të larta, u pensioni minimal. Ai 50 mijë lekëshi të mos i shkojë kategorisë së pensioneve të larta deri në 350-450 mijë, por kjo kategori të marr 30 mijë lekë të vjetra dhe kategoria e pensioneve të ulëta që janë në vlerë 100 mijë lekë të vjetra të marrin më shumë se 50 mijë lekë bonus. Sot pensioni mesatar shkon në vlerën 185 mijë lekë të vjetra. Për të gjithë kategoritë, 100 mijë pensionistë me pension me vlerë 100 mijë lekë të vjetra në muaj, kjo kategori të trajtohet më ndryshe duke marr bonus të vlerës më të lartë se 50 mijë lekë të vjetra. Kështu po mendohet të gjendet një formulë që edhe indeksimi të jetë i shkallëzuar. Në rast se inflacioni i mallrave të shportës që del nga INSTAT në shtator, në mënyrë që qeveria të indeksojë pensionet në tetor të jetë në vlerë 3.6%, të mos indeksohen pensionet e vogla me 3.6% por më shumë ndërsa në vlerë më të ulët të indeksohen pensionet e larta, mbi 350 mijë lekë në muaj. Kjo kategori pasi ka më të lehtë që të përballojë dhe çmimet e ushqimeve të shportës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Skema që po ndiqet dhe detajet nga dy bonuset

Sa do të jetë rritja e pensioneve në tetor?

Eksperti Fatos Çoçoli: Do të ketë dy bonuse!

Pensionet, të moshuarit pritet të përfitojnë shtesë edhe në shtator