MENU
klinika

Takimi me socialistët

Vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025, Klosi: E pamundur të realizohet!

01.05.2024 - 11:45

Sekretari i Përgjithshëm i PS Blendi Klosi pas një takimi me socialistët e Shkodrës, i pyetur rreth mbajtjes së Veliajt 7 orë në SPAK, zgjodhi të mos komentote duke thënë se vendimmarrja i takon drejtësisë së re.

Ai u shpreh se drejtësia e re është ndërtuar me vullnetin dhe votat e PS dhe se kanë vendosur të mos komentojnë vendimet e SPAK me qëllimin që politika të mos ndërhyjë në vendimmarrjet e saj.

Klosi foli edhe për zgjedhjet e ardhshme të 2025 duke thënë se PS po punon që të marrë edhe mandatin e katërt si dhe për Reformën Zgjedhore duke deklaruar se deri më tani ka ngecur për mungesë vullneti nga opozita duke shpresuar që tashmë Parlamenti ta miratojë më 84 vota edhe pse edhe kësaj radhe është e pamundur të realizohet vota e emigrantëve apo edhe depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore.

I pyetur rreth përgatitjes për zgjedhjet e 2025 ose edhe për zgjedhje të parakohshme ai tha: Përsa i përket procesit zgjedhor jemi vetëm një vit nga dita e zgjedhjeve 2025, shumë pak kohë për një forcë politike e cila e ka seriozisht politikën, e ka seriozisht kontaktin me njerëzit, për një forcë politike që kërkon të marrë mandatin e katërt dhe një forcë politike që kërkon të fitojë përsëri ashtu siç fituam në zgjedhjet e fundit lokale kudo në Shqipëri.

Sekretari i PS tha pë Reformën Zgjedhore: Reforma Zgjedhore është reforma e një kodi elektoral i cili kërkon 84 vota në Parlament dhe ligjvënësi kur e ka ndërtuar Kushtetutën dhe ligjin ka menduar se do të ketë forca të ndërgjegjshme politike të cilat do të duan të ulen në tryezë, të negociojnë mes tyre dhe të marrin vendime përsa i përket ligjeve të rëndësishme të vendit. Mungesa e vullnetit nga krahu i opozitës na la në një situatë e cila tashmë i është drejtuar Parlamentit dhe besoj fort se Parlamenti do të ketë vullnetin me 84 vota për të realizuar disa problematika që kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore dhe do të kishim shumë dëshirë që të realizonim votën e emigrantëve, do të kishim shumë dëshirë të realizonim depolitizimin e Komisioneve Zgjedhore por mungesa e opozitës shumë gjatë në atë komision na e bëri të pamundur të gjenim diskutim, negocim dhe vendimmarrje në komision.

Ndër të tjera ai foli edhe epër arsyen e takimit me socilistët e Shkodrës.

“Sot në Shkodër bashkë me Elisën dhe këshillin koordinues të PS Qarku Shkodër, vlerësuam maksimalisht gjithë procesin e rienergjizimit në çdo organizatë socialiste të këtij qarku ku kemi realisht një surprizë të re përsa i përket angazhimit qytetar, prurjeve të reja në parti, numrin e ri të anëtarëve të partisë dhe natyrisht një angazhim për të pasur një strukturë goxha të mirë të mirëorganizuar. Në datën 10 dhe 11 maj ne do të kemi procesin e votimit ‘një anëtar një votë’, ku do të kërkohet e gjithë antarësia e PS të vijë dhe të votojnë për delegatët e Kongresit i cili do të jetë i barabartë ndërmjet zonjave dhe zotërinjve në listat tona. Do të jenë lista të cilat do të jenë me mbi 3/4 me anëtarë të rinj përsa i përket Kongresit të ri të PS për të shprehur gjithë këtë energji të re që PS ka marrë edhe në Qarkun e Shkodrës. Së bashku me këshillin koordinues u përpoqëm të plotësojmë detyrat që kemi në kuadër të turit ‘Krenar për Shqipërinë’ që kryetari i partisë dhe kryeministri Edi Rama do të ndërmarrë në gjithë vendin për të mobilizuar të gjithë qytetarët shqiptarë përsa i përket kësaj krenarie të madhe që Shqipëria po afron për emigrantët kudo që ata janë.

PS është një parti që fiton sepse punon shumë. Edhe përgjigja që morëm nga qytetarët dhe mbështetësit tanë ishte e jashtëzakonshme. Ne realizuam objektivat në një masë shumë të lartë. Bashkia Shkodër ose Qarku Shkodër i realizoi mbi 200% objektivat që kishim në kuadër të antarësimeve të reja. Ne kërkonim që të kishim nga 4 anëtarë të rinj në çdo organizatë socialiste në Shqipëri, pra nga rreth 20 mijë anëtarë, arritën në 32 mijë anëtarë në një periudhë të shkurtër kohe dhe kjo na dha bindjen që realisht jemi në rrugë të mbarë kur të kërkojmë të afrojmë në strukturat tona sa më shumë të rinj”, u shpreh Klosi.