Presidenti Aleksandër Vuçiç ka pranuar para popullit të tij, humbjet në dy betejat e mëdha diplomatike të Serbisë, atë për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për të ndaluar miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.
Vuçiç është shprehur se retë e zeza politike kanë mbuluar Serbinë, duke lënë të kuptohet se nuk ka një “çadër” për t’u mbrojtur.
Vuçiç pranoi edhe njëherë që Kosova i ka votat e nevojshme, por sërish po tenton t’i bëjë presion Amerikës, për të ndryshuar diçka deri më 17 maj.
“Por edhe një ditë pas kësaj, ne nuk do të jemi të trishtuar. Ne nuk do të shkatërrojmë dhe njollosim imazhin tonë. Të nesërmen do t’i veshim trengjyrëshat tona serbë, do t’i varim në shtëpitë tona, do të ecim me krenari nëpër rrugë, jo vetëm të vendit tonë, por të të gjitha qyteteve të botës”, thekson Vuçiç.
Ai pretendoi se serbët kanë vuajtur tmerrësisht në dy luftërat botërore dhe gjatë konflikteve të viteve ’90, duke harruar faktin e njohur ndërkombëtarisht, se krimet e luftës dhe gjenocidi janë kryer nga ushtria dhe shteti serb.
Pikërisht këtu duket se buron një frikë e Vuçiçit, pasi në intervistë la të kuptohet se i druhet një padie për gjenocid nga Kosova.