MENU
klinika

Nga Preç Zogaj

Kujt i drejtohet mesazhi “kujdes me non gratat” i ambasadës amerikane

23.06.2024 - 19:12

Pak ditë pasi Gjykata e Apelit e ndau në favor të Rithemelimit konfliktin gjyqësor rreth përkatësisë së vulës së PD-së, pati një reagim nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

“Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA”, niste deklarata në fjalë.

Një qëndrim i rimarrë fjalë për fjalë sa herë që në kampin berishian kanë marrë hov iluzionet dhe spekulimet sikur Uashingtoni është penduar për sanksionimin e Berishës.

Përsëritja e qëndrimit standard pas vendimit të Apelit ka të renë se replikon keqkuptimet e radhës sikur ligjërimi i Berishës në krye të PD-së dikton një ndryshim. Sepse ai nuk është më ish-presidenti apo ish-kryeministri, por lideri i opozitës, kryeministri hije. Uashingtoni nuk mund të mos e konsiderojë këtë.

Por jo, asgjë nuk ndryshon në këtë pikë. As duke marrë vulën e Partisë. Ky është pohimi i ambasadës.

Të njëjtën gjë mund të parashikojmë edhe sikur të ndodhte që zgjedhjet në Shqipëri t’i fitonte një subjekt i drejtuar nga dikush që është sanksionuar nga SHBA. Që nuk ka gjasa të ndodhë. E madje nuk duhet të ndodhë, edhe po të lajthisë njerëzia; liderit që kanë koshiencën e përfitimeve të jashtëzakonshme nga marrëdhëniet e ngushta me SHBA duhet ta refuzojnë këtë turp. Në Europë, partitë antiamerikane apo që nuk qasen nga SHBA janë kryesisht partiza. Do të ishte një hukubet që Shqipëria të ishte e para me një të madhe.

“Të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”, vijonte më tej deklarata e ambasadës.

Korrekte në formulim, por e rrumbullakosur në adresim, kjo fjali nxit të pyesësh: me kë e kanë, kujt i drejtohet kjo tërheqje e vëmendjes apo ky paralajmërim?

A mund t’i drejtohet kryeministrit Edi Rama që ka konceptuar superkomisionin bipartizan, pa një objekt konkret të qartë, të cilin, për ta bërë funksional i duhet të ketë dakordësinë e Berishës?

Po ta kenë me kryeministrin besoj se do të ishim më eksplicitë. SHBA janë mbështetësit kryesorë të SPAK. Në fakt janë garantët që pandëshkueshmëria në sferat e larta të mos mund të rikthehet me çmimin e kastrimit apo zhbërjes së drejtësisë së re nga kasta politike plurale solidare.

Nuk ngjan logjik, madje tingëllon cinike ta kenë me Bashën, të cilin e kanë privuar nga mbështetja publike prej dy vitesh e mos më shumë. Pavarësisht se ka drejtuar një grupim politik që ka mbajtur si busull euroatlantizmin.

Nuk ka si ta kenë me deputetët e PD-së që e kanë bërë fakt të kryer bashkimin me Rithemelimin e Berishës para se ky të merrte ligjërisht vulën e partisë. Pa ndeshur ndonjë reagim, madje duke reklamuar bekimin e heshtur të zyrtarëve amerikanë që janë marrë e merren me Shqipërinë, bashkëpunimin me ta. Gjë që ka krijuar rebuse dhe çoroditje në parimet dhe linjën e ndjekur deri vonë.

Nuk pretendojmë që SHBA të merren me lojëra e cicmice të vogla, apo të bëjë sytë katër nga venë e vinë deputetët e Shqipërisë. Do të ishte shumë për madhështinë e tyre. Mbështetja prioritare pa pauza që i japim SPAK-ut dhe drejtësisë së re është në lartësinë e shërbimeve të mëdha që i kanë bërë kombit tonë përgjatë një shekulli.

Përcaktimi nga Presidenti Biden i luftës kundër korrupsionit si një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara ka shënuar perimetrin e sigurisë sonë si vend aleat me ta.

Është shumë të kërkojmë më shumë.

Por kur fatmirësisht SHBA merren edhe me çështje të tjera të përditshmërisë sonë politike, pritshmëritë për qartësi dhe adresim të mesazheve nga ana e tyre janë po aq të mëdha. Pikërisht për shkak të peshës që u ka fjala.