Mbi 1.2 milionë letra me vlerë, qarkullojnë sot në tregun shqiptar, por nuk ka asnjë informacion se kush i disponon këto bono dhe me çfarë vlere ua shesin qytetarëve. Vlera e këtyre bonove të hedhura në treg nga Banka e Shqipërisë dhe që janë ende në treg përllogaritet në mbi 1.2 miliardë euro, por nuk ka asnjë të dhënë se sa ka shkuar vlera e tyre sot, dhe si përcaktohet norma me të cilën këmbehen.
Këto shqetësime u ngritën në komisionin e Ekonomisë nga deputeti socialist Erion Braçe teksa u diskutua projektligji për shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit për në 31 dhjetor 2027, pas afati i ka përfunduar më 31 dhjetor 2023.
“Sa është vlera e bonove që janë shpërndarë? Cilat janë kategoritë që kanë përfituar bono privatizimi? Sa janë përfituesit e bonove? Bonot e mbetura në shoqërinë piramidale fondi Anglo-Adriatika sa janë dhe ku ndodhen? Cila është vlera e përdorur deri më sot e këtyre bonove? Kush i disponon dhe ku tregtohen? Këta njerëzit që legalizojnë një banesë, ku i gjejnë këto, ku i marrin ku i blejnë dhe sa i blejnë? Pra sa është vlera e tyre në treg?”, pyeti deputeti Erion Braçe.
“Ministria e Ekonomisë nuk ka një informacion mbi personat që i kanë këto bono, sepse ky është një treg për të cilin nuk jemi ne përgjegjës, as për emetimin as për ti ndjekur se kush i mban, si i tregon”, u shpreh në komisionin e Ekonomisë zëvendësministri i Ekonomisë Endrit Yzeiraj.
“Po flet për një treg të zi, a e kupton se çfarë po thua apo jo? Dollari këmbehet në të zezë por ka edhe agjenci të licencuara, për bonot a kurs për ato more zotëri?”, tha Braçe.
“Vlerën e këtij tregu e përcaktojnë ata që kanë në duar bonot? Kush janë ata? Nuk e dimë! Duhet të kishim ngritur një proces regjistrimi, duhet të kishim caktuar një normë për tu regjistruar. Sot jemi para faktit që nuk e dimë kush i ka, tregtohen në treg të lirë, s’kanë normë që rregullon tregtinë, përqindjen e caktojnë njerëzit që i kanë në duar”, u shpreh Shalsi.
Bonot e privatizimit (letrat me vlerë), janë përdorur që prej vitit 1995 dhe afati për lejimin e tyre është shtyrë 9 herë gjatë këtyre viteve.
Këto letra me vlerë janë përdorur kryesisht për pagesën e legalizimit të banesave, dhe një pjesë tjetër është përdorur nga ish-pronarët për të parablerë objekte që nuk janë privatizuar nga institucionet, dhe që janë të ndërtuara pjesërisht në pronën e tyre ku 80% e vlerës së objektit e blejnë me letra me vlerë dhe pjesën tjetër me para cash. Po ashtu përdoren edhe për privatizimin e pronave të dhëna me qira 1 euro.
“Kur janë me kontratë qiraje, dhe kur vlera e investimi kalon 150%, biznesi ka të drejtë ta privatizojë, toka është 100% të vlerës në lekë, ndërsa objektin ka të drejtë ta blejnë me 80% me bono dhe 20% me cash”, u shpreh Afrim Brahimaj nga drejtoria e Privatizimit pranë MEKI.
Në total Banka e Shqipërisë ka emetuar 3.2 milionë copë bono privatizimi me vlerë totale 83 miliardë lekë, por aktualisht ka në gjendje vetëm 45 mijë copë bono.