MENU
klinika

“Yjet nën yje”

“Migjeni”, kthehet në një skenë te madhe muzike dhe humori

29.06.2024 - 15:00

“Yjet nën yje”, në Teatrin “Migjeni” ka rikthyer emocionet e muzikës dhe humorit si dikur në kafe të madhe. Një nisëm e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës që ka kthyer në skenë të madhe sheshin para teatrit “Migjeni”, ndërkohë që nuk ka munguar edhe video-mapping në fasadën e Teatrit të Shkodrës me imazhet e artistëve që kanë bërë epokë në artin shqiptar e që sot nuk jetojnë më.

Në skenë janë ngjitur emrat e mëdhenj të muzikës dhe humorit, Bujar Qamili, Myfarete Laze, Edmond Halili dhe Drande Xhaj, e gërshetuar edhe me emrat e rinj të skenës, Jozefina Simoni, Akil Vorfi dhe Tan Brahimi.

Të pranishëm përveç publikut që kishte mbushur sheshin para teatrit “Migjeni”, kanë qenë edhe kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci dhe drejtues vendorë.

Për më shumë se 2 orë, sheshi para teatrit Migjeni është kthyer në një skenë të madhe arti, ku së bashku me këngëtarët kanë kënduar edhe spektatorët e shumtë.

Dy emrat e mëdhenj të muzikës shkodrane dhe shqiptare, në intervistën e dhënë për mediat janë shprehur të kënaqur më këtë event që rikthen traditën por që i jep hov aktiviteteve kulturore në Shkodër.

Yjet nën yje është një nisëm e Ministrisë së Kulturës e cila do të vijojë edhe në vitet e tjera me gërshetimin e artistëve që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar e ndërthurur kjo edhe me emrat e rinj që kanë ngjitur hapat në skenat shqiptare.