MENU
klinika

Do të shfaqen rreth 50 filma nga Ballkani

Nis ‘Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë’

26.06.2024 - 17:08

Në qytetin e Pogradecit nisi dje në mbrëmje “Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë”, ku do të shfaqen rreth 50 filma me metrazh të shkurtër e të gjatë nga i gjithë Ballkani.

Përgjatë pesë ditëve Pogradeci do të kthehet në qendrën ballkanike të filmave, ku marrin pjesë regjisorë, producentë, studentë të kinematografisë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Ceremonia hapëse u zhvillua në “Odeon”, ku edhe u shfaq premierë për qytetarët nga Pogradeci dhe turistët filmi “Spohie” me regji të Eduard Grishaj, i cili ka marrë disa çmime.

Themeluesi i festivalit, Eno Milkani tha për mediet se përveç filmave konkurrentë në netët e festivalit nostalgjikët dhe jo vetëm, do të kenë mundësinë të shijojnë edhe filma të vjetër të restauruar.

“Filmat janë të zhanreve të ndryshëm. Kemi komedi, dramë. Filma që trajtojnë probleme të të rinjve, moshës së tretë. E veçantë do të jetë prezantimi i librit të Stefan Çapalikut për Serafin Fankon, të cilin e njohim të gjithë si aktor, regjisor”, tha Milkani.

Në fund të këtij kompeticioni, që do të mbyllet me datë 29 qershor priten të ndahen çmime për zhanret e ndryshme pjesëmarrëse.

Ky festival është ideuar si një bashkëveprim jo vetëm filmik mes vendesh fqinje, por edhe si një shkëmbim e shijim gastronomik.