MENU
klinika

Nga 21 deri në 29 qershor

Për herë të parë në Shqipëri, Java Kulturore Braziliane

19.06.2024 - 13:59

Pas disa javësh të sukseshme të projektit të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, Shqipëria do të mikpresë artistët brazilianë.

Kryeministri Edi Rama ndau përmes rrjeteve sociale një video që paralajmëron nisjen e Javës Kulturore Braziliane e cila do të zhvillohet nga 21 deri në 29 qershor. Kjo është hera e parë që artistët brazilianë përfshihen në aktivitetet e JKN.

“Bashkohuni me ne për të përjetuar energjinë dhe kulturën unike të Brazilit”, shkroi Kryeministri Rama në rrjetet e tij sociale.

Java Kulturore Braziliane do të çelet me Natën Poetike Braziliane, e cila është një përvojë e rrallë që ndërthur bukurinë e poezisë dhe prozës me tingujt e përkryer të pianos.

Më 24 qershor do të mbahet koncerti i harqeve “Camerata Balcanica”, ku do të performohet një program që përfshin disa nga pjesët më të bukura të muzikës braziliane. Më 25 qershor, në kinema “Millenium” do të shfaqet filmi brazilian “Behind the Sun”.

Filmi i vitit 2001 “Behind the Sun” realizuar me regji të Walter Salles dhe frymëzuar nga “Prilli i Thyer” i Ismail Kadaresë, trajton jetën e një familjeje të varfër në Brazilin rural.

Këto e të tjera aktivitete kulturore të Javës Braziliane, premtojnë të dhurojnë shumë emocione.