MENU
klinika

Qytetarët humbasin mundësitë e punësimit dhe pushimet

Probleme me pasaportat e reja në M. e Veriut! Fluks kërkesash

21.06.2024 - 10:18

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut tani mund të udhëtojnë vetëm me pasaporta që kanë emrin e ri të vendit. Autoritetet s’po e përballojnë fluskin e kërkesave, ndërsa shumë qytetarë po humbasin mundësi për pushime dhe punë.

Është një mëngjes i mirë i mesit të qershorit në Shkup dhe dielli tashmë po flakëron. Po bëhet vapë, si jashtë ashtu edhe brenda, sidomos në zyrën e Departamentit për Çështje Administrative të ministrisë së punëve të brendshme ku lëshohen pasaportat me emrin e ri të vendit: Maqedonia e Veriut.

“Çfarë prita gjysmë ore?” pyet një e re e zhgënjyer duke folur me dikë në telefon.

“Unë duhet të kthehem pas një jave. Por kur saktësisht?” thotë me vete një mesoburrë teksa zbret nga shkallët.

Sot në mëngjesë për disa qytetar që largohen nga ndërtesa pritja për dokumentet e reja të udhëtimit nuk ka përfunduar. Ata do të duhet të kthehen përsëri. Të tjerë largohen me një buzëqeshje në fytyrë dhe një pasaportë të re në dorë, gati për të nisur pushimet e tyre verore.

Maqedonia e Veriut: ndryshimi i emrit në shkurt 2019

Gjashtë vjet më parë, më 17 qershor 2018, Greqia dhe Republika e atëhershme e Maqedonisë nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, e cila parashikonte ndër të tjera që Maqedonia të ndryshonte emrin e saj në Maqedoninë e Veriut.

Në përputhje me marrëveshjen, qytetarët maqedonas që dëshirojnë të largohen nga vendi pas 12 shkurtit 2024 do të mund ta bëjnë këtë vetëm me pasaportë që mban emrin e ri të shtetit.

Edhe pse kushtet e marrëveshjes hynë në fuqi me ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë në shkurt të vitit 2019, qytetarët që aplikonin për pasaportë dy vjet më vonë, ende merrnin dokumente me emrin e vjetër të vendit. Pasaportat i nevojiten kujtdo që dëshiron të udhëtojë ose të punojë jashtë vendit.

Pritje të gjata, aplikantë të zhgënjyer

Edhe pse njerëzit janë ende duke pritur në radhë, turmat në zyrë sot janë shumë më të vogla se sa ishin disa muaj më parë, kur njerëzit duhej të prisnin me orë të tëra vetëm për të folur me një anëtar të stafit. Linjat telefonike për takime u vërshuan nga telefonata.

Sipas ligjit, shtetit i kërkohet të lëshojë dokumente brenda 15 ditëve pune ose 48 orëve nëse kërkohet një pasaportë sipas një procedure të përshpejtuar që kushton 100 euro (107 dollarë). Mirëpo, qytetarët që folën për DW thonë se kanë pritur dy muaj në procedurë standarde.

Pas disa tentativave të pasuksesshme Angeli nga Shkupi mori termin për t’i bërë fotografitë për pasaportë në fillim të marsit.

“Më thanë që pasaportën do ta marr për një deri në dy muaj. Por tashmë kanë kaluar dy muaj. Kam pyetur kudo, nuk më kanë gjetur pasaportën, është bërë apo jo?” pyeti ai. Në pritje të pasaportës së tij, ai humbi mundësitë për të punuar në Spanjë dhe në Gjermani.

“Nuk është aspak një përvojë e këndshme”, tha ai për DW.

Angel mendon se i gjithë procesi për lëshimin e dokumenteve të reja mund të kishte filluar shumë më herët dhe duhet të kishte përfshirë një fushatë të përshtatshme informuese. Që kur foli për DW, Angel më në fund mori pasaportën.

E pamundur të bësh plane pa një pasaportë të vlefshme

“Isha në një situatë ku as nuk mund të planifikoja, as të shihja opsione për t’u larguar nga vendi apo për të rezervuar bileta”, tha për DW Arbnora Memeti, fotografe e pavarur nga Shkupi. “Doja të shkoja në Itali, por nuk munda. Nuk mund të rezervoni bileta nëse nuk dini numrin e ri të pasaportës”.

Por fati i buzëqeshi asaj dhe pas kontrolleve të panumërta në platformën online për të zbuluar se kur do të ishte gati pasaporta e saj, më në fund mori një mesazh që i thoshte ta merrte atë.

Të tjerët nuk kanë qenë aq me fat, shumë njerëz kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur zhgënjimin e tyre për mundësitë që kanë humbur si rezultat i vonesave. Madje disa kanë ngritur mundësinë për të paditur shtetin për dëmet e pësuar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha për DW se nga 5 korriku 2021 deri më 31 maj 2024 janë pranuar 1.6 milionë kërkesa për pasaporta, 1.3 milionë për karta identiteti dhe mbi 680 mijë për patentë shofer. Sipas MPB-së 3,000 deri në 4,000 pasaporta aktualisht lëshohen çdo ditë.

Në Maqedonin e Veriut po vuajnë edhe bizneset

Por nuk janë vetëm qytetarët që po ndiejnë efektet negative të krizës së pasaportave. Edhe kjo verë do të jetë shumë e vështirë për agjencitë turistike. Pasojat tashmë po ndihen, thotë Pavlina Popovska nga agjencia turistike Atlantis.

“Fluturimet e para të sezonit veror nuk ishin as të mbushura për shkak të problemit me pasaportat”, tha ajo për DW.

Është e zakonshme që njerëzit të rezervojnë fluturime verore që në dhjetor ose janar për të përfituar nga çmimet e ulëta. Por shumë udhëtarëve maqedonas u është dashur të anulojnë planet e tyre sepse nuk i kanë marrë pasaportat në kohë. Tani, çmimet janë më të larta.

“Nëse ata vazhdojnë të presin, ata mund të marrin pasaportën e tyre disa javë para se të largohen. Por nëse nuk e bëjnë dhe anulojnë pak para fillimit të pushimeve të tyre, atëherë ne duhet t’u vendosim gjoba, dhe kjo nuk u përshtatet, kështu që ata anulojnë marrëveshjet”, tha ajo.

Udhëtimi i penguar fillimisht nga COVID, tani nga kriza e pasaportave

Disa njerëz zgjodhën procedurën e aplikimit për pasaportë të shpejtë, që do të thotë 400 euro shtesë për një familje me katër anëtarë.

Popovska është i frustruar: “Problemi këtu nuk është vetëm nëse do të kesh një dokument udhëtimi, pasaportë apo jo. Është prekur një sektor i tërë i madh. Tre vjet më parë ishte COVID, tani janë pasaportat.”

Tensioni i ri me Greqinë në horizont?

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka një qeveri të re dhe një president të ri. Socialdemokratët e mëparshëm në pushtet dhe kandidati i tyre presidencial Stevo Pendarovski pësuan humbje të mëdha në zgjedhjet e 8 majit. Votuesit zgjodhën presidenten e parë femër të vendit-Gordana Siljanovska-Davkova, një profesoreshë universitare në pension për të drejtën kushtetuese dhe sistemin politik – dhe një qeveri të re, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE e krahut të djathtë.

Marrëdhëniet maqedono-greke u kthyen shpejt në titujt kryesorë pasi presidentja e re Siljanovska-Davkova refuzoi të thoshte emrin e ri kushtetues të vendit gjatë inaugurimit të saj.

Kjo ngriti pyetjen nëse Greqia do të përgjigjet duke tërhequr mbështetjen e saj për përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në BE.

Megjithëse qeveria e re tregoi se presidenti maqedonas do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues të shtetit, ajo tha se “në daljet e saj publike, presidentja maqedonase ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si një akt i të drejtës personale për veten – vendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”./DW

“Të bëhet një traktat i paqes Kosovë - Serbi”

Sinjalet për sulme në Veri, ministri Maqendonci ngre alarmin

"Të shqetësuar për përdorimin e termit “maqedonas verior”!"

Censi/ Reagon ashpër Shkupi: Të dhënat për minoritetin etnik s’janë të sakta!

“Nuk ka minoritet bullgar, të ribëhet regjistrimi“

Maqedonasit, kundër censit në Shqipëri