MENU
klinika

Në tremujorin e parë numri i anëtarëve u shtua me…

Rritet interesi për pensionet private

03.06.2024 - 13:29

Numri i personave që zgjedhin të investojnë në skemat e pensioneve private është shtuar dukshëm nga viti në vit dhe si rrjedhojë, bashkë me të është rritur edhe vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në tremujorin e parë të këtij viti numri i anëtarëve në fondet private të pensioneve ishte 39,910, shifër që është rritur me 4.53% krahasuar me tre muajt e fundit të vitit të kaluar. Tregu i pensioneve private ka një total asetesh neto prej rreth 7 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje prej 4.18% ose 282 milionë lekë më shumë se periudha e fundit e 2023-it.

Nëse bëjmë një analizë krahasimore, skemës së pensioneve private i janë shtuar 2,850 kontribues të rinj në janar-mars të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Gjithashtu edhe totali i aseteve neto është rritur me 1.1 miliard lekë nga 5.9 miliard që ishte në 2023-in.

Në të njëjtin ritëm ka ecur edhe numri i fondeve të pensioneve private në Shqipëri. Aktualisht, në këtë treg operojnë 6 fonde pensionesh private, nga 5 që operonin në vitin 2023 dhe 4 në vitin 2022. Me rritjen e kërkesës nga personat për t’u përfshirë në skemat e pensionit privat është normale që të ketë edhe një rritje të shoqërive administruese të fondeve të këtij lloj pensioni.

Pensioni privat është një pension shtesë krahas pensionit minimal shtetëror, duke krijuar mundësinë dhe ofruar sigurinë e një burimi të rregullt të ardhurash për ruajtjen e standartit të jetesës edhe pas largimit të përhershëm nga puna.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eksperti 'zbardh' skemën e re që do përdoret

Çfarë do ndodhë më 1 tetor me pensionet

Shqipëria drejt një reforme të re pensionesh

Çfarë e sfidon skemën e pensioneve, sipas BB?

Lajmet e fundit për rritjen e pensioneve

Çfarë duhet të dini për ndryshimin e pagave nga 1 korriku