MENU
klinika

Ia kalon dhe Greqisë e Italisë

Të huajt bëjnë të famshme Shqipërinë në TikTok

02.06.2024 - 12:37

Hashtagu #Albania ka 3.8 milionë postime dhe gati 106 miliardë shikime, duke lënë pas me shikimet për një postim jo vetëm gjithë rajonin, por dhe destinacione të njohura turistike si Greqia dhe Italia, Franca apo dhe Tajlanda.

Një pjesë e mirë e tyre janë postuar nga turistë të huaj, që tregojnë përvojën e tyre në Shqipëri, duke u bërë ambasadorët më të mirë të promovimit të turizmit dhe ndryshimit të imazhit të një vendi që ka vuajtur për vite perceptimin si i pasigurt dhe i rrezikshëm.

Mos shko në Shqipëri, nuk është vend i sigurt”. Kjo ishte këshilla që i dhanë vite më parë miqtë, Alyne Tamir, blogeres së njohur nga DearAlyne.

“Kjo është hera ime e pestë në Shqipëri dhe mund të them se tashmë është një nga vendet e mia më të dashura”, shprehet ajo në një video të saj në TikTok, që ka marrë më shumë se 1.5 milionë shikime dhe mbi 82 mijë pëlqime.

Videot si ajo e Alyne janë të pafundme në TikTok, një nga rrjetet sociale më të mëdha në botë me 1.6 miliardë përdorues.

Platforma është pushtuar nga postime të turistëve të huaj, blogerëve apo edhe nomadëve dixhitalë që kanë vizituar Shqipërinë dhe tregojnë përvojën e tyre.

Videot janë në gjuhë të ndryshme dhe me arsye të ndryshme përse duhet vizituar Shqipëria sipas tyre, duke u bërë një ndër reklamuesit më të mëdhenj të vendit tonë në audiencën globale.

Nëse pesë vite më parë, Ayline nuk para shihte video në TikTok për Shqipërinë, tani në maj 2024 ajo do të gjente më shumë se 3.8 milionë postime me hashtag #albania, një pjesë e mirë e tyre të postuara nga turistë të huaj që tregojnë përvojën në Shqipëri.

“Jam shumë e lumtur që tani, vite më vonë, shoh në TikTok eksperiencat e mrekullueshme që njerëzit po kalojnë në Shqipëri”, -vazhdon të thotë blogerja në videon e saj.

Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po zë vend në radhët e destinacioneve më të përmendura në TikTok, duke ua kaluar jo vetëm fqinjëve, por konkurron denjësisht me Italinë dhe Greqinë, apo dhe me destinacione të tjera popullore globale.

Shqipëria ka shënuar rritje të përshpejtuar në aktivitetin e saj në platformën e TikTok-ut. Sot ka më shumë se 3.8 milionë video të postuara dhe rreth 108.5 miliardë shikime nën hashtagun #albania, sipas të dhënave që publikohen nga FastMoss.

Për krahasim, me hashtagun #Italy janë postuar 16 milionë video, me 150 miliardë shikime në total.

#greece ka rreth 5 milionë postime, ndonëse ka më shumë postime se vendi ynë #greece ka më pak shikime, me vetëm 59 miliardë.

Edhe pse Italia, me 2.7 milionë përdorues aktivë, dhe Greqia, me rreth 3.8 milionë përdorues aktivë, kanë numra më të lartë të postimeve dhe shikimeve, Shqipëria, me 1.5 milionë përdorues ka arritur të konkurrojë me sukses duke u mbështetur në krijimtarinë lokale dhe në interesin e huajve për vendin.

Italia ka Koloseun, Greqia ka Akropolin, por dhe Shqipëria po tërheq vëmendjen si një destinacion i pazbuluar, që konkurron për antikitetin me këto dy shtete, me bukuri natyrore të shumëllojshme, çmime të lira e njerëz mikpritës.

Nëse bëhet renditja e shikimeve për një postim, vendi ynë ka mesatarisht 28 mijë shikime/postim, tre herë më shumë se Italia (rreth 9.3 mijë).

Në këtë tregues, Shqipëria ia kalon dhe Francës që ka rreth 16 mijë shikime për një postim, apo dhe Tajlandës, 14.6 mijë.

Kroacia, një destinacion turistik i njohur në rajon, #croatia ka rreth 1.5 milionë postime, me 28.1 miliardë shikime, ndërsa #serbia ka rreth 1.5 milionë postime, me 35.5 miliardë shikueshmëri.

Kosova, megjithëse me një popullatë të vogël, ka 875 mijë postime dhe 32.5 miliardë shikime nën hashtagun #Kosovo, një pjesë e të cilave janë të lidhura dhe me konfliktet me Serbinë.

#macedonia ka 432 mijë poste dhe 8.9 miliardë shikime dhe #montenegro, 324 mijë postime dhe 6.2 miliardë shikime

TikTok-u po shndërrohet në një mjet të rëndësishëm për promovimin dhe shfaqjen e pasurisë kulturore dhe natyrore, ku “aktorët” kryesorë mbeten të huajt që vijnë në Shqipëri për turizëm, për të jetuar përkohësisht, apo dhe për të bërë biznes.

Plazhet shqiptare “Maldivet e lira të Europës”

Videot e TikTok që shfaqin Rivierën Shqiptare janë parë më shumë se 230 milionë herë. Vetëm videot për Ksamilin janë të pafundme në këtë aplikacion duke krahasuar plazhin shqiptar me atë të Maldiveve.

“Parajsa e fshehur mbi tokë, një version më pak i vizituar i Maldiveve, që jo vetëm se është më i lirë ekonomikisht, por është më i qetë dhe më pak i ngarkuar me vizitorë”, – shprehet Jen, një Tiktoker që filmon udhëtimet me familjen e saj.

Por Riviera jonë nuk përfaqësohet vetëm me Ksamilin, por edhe me bregdetet e tjera që janë po aq fantastike.

Në TikTok ka 12.7 mijë video me #Ksamil me më shumë se 121 milionë shikime. Nëse e krahasojmë me bregdetet e tjera të famshme në rajon, shohim që është një nga hashtag-et më të përdorura me më shumë shikime.

Ishulli i Brač, i listuar si një nga vendet me plazhet më të bukura në Europë nga revista amerikane e turizmit “Condé Nast Traveler”, ka vetëm 4.8 mijë video dhe 21.3 milionë shikime.

Këtë gjë e shohim edhe me hashtag-un e Sveti Stefan, një nga zonat më të mëdha bregdetare në Mal të Zi, që revista e mësipërme e shpall si një nga plazhet më popullore në Europë.

#SvetiStefan ka rreth 5 mijë video dhe 54.8 milionë shikime në aplikacionin TikTok./ Pjese nga shkrimi i Monitor, me gazetare Armela Toska

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN