MENU
klinika

U largua nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike

Agalliu: Një parti e udhëhequr nga non-grata nuk mund të jetë e ardhmja

18.07.2024 - 22:20

Deputeti Arbi Agalliu pak ditë më parë ka njoftuar largimin nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Agalliu është shprehur se është dorëhequr nga grupi i PD pasi “vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit fatkeqësisht vendosi që partia më e madhe opozitare ti kalojë Sali Berishës, i cili përfaqëson një politikë që nuk përkon me bindjet e mia”.

Ndërkohë i ftuar në “Top Talk”, Agalliu i pyetur se ku pozicionohet tani, u shpreh se “një parti me një person non grata nuk mund të jetë e ardhshme për këtë vend”, prandaj ka zgjedhur të largohet zyrtarisht, pas Alibeajt.

Agalliu: Unë vazhdoj të qëndroj në atë rrugëtim që nisa në datën 9 shtator, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vijim më mbrapa dhe Britania e Madhe, kanë vendosur të shpallin non-grata z. Sali Berisha. Besoj fort se një opozitë, që drejtohet nga një person non-grata dhe me probleme me drejtësinë, nuk mund të jenë alternativë e opozitës për të ardhur në pushtet. Nga ana tjetër, i qëndroj bindjes që klasa e vjetër politike, e cila është e shkuar dhe ka lidhje me korrupsionin, nuk mund të jetë e ardhmja. Në këtë kontekst, kam qëndruar, me bindjet e mia deri në momentin kur Gjykata i dha vulën grupimit të Rithemelimit. Në këtë moment, do të vijoj të mbaj bindjet e mia. Pra besoj që një parti, me një person non-grata nuk mund të jetë e ardhme për këtë vend. Dhe kam pritur në diskutimet e forumit, që ne kemi diskutuar, si grupim apo si ish-Partia Demokratike zyrtare, të merret një vendim final. Ky vendim fatkeqësisht është zgjatur dhe i pari që e ka bërë largimin nga Berisha, zyrtarisht tashmë, është z.Alibeaj, i dyti jam unë.

E thoni ju që Partia Demokratike nuk është Sali Berisha, por defakto, Partia Demokratike, sot që ne flasim, drejtohet nga z.Berisha. largimi bëhet nga partia, e cila funksionon në rresht për një te Sali Berisha. Nëse ka njeri që nuk e kupton këtë gjë, është diskutim tjetër. Dhe unë po i qëndroj bindjeve. Ne nuk e pranuam atë si deputet. Nuk mund ta pranoj si kryetar. Vijoj të qëndroj me bindjet e mia, që e djathta shqiptare nuk përfaqësohet nga njerëz që nuk kanë lidhje me të shkuarën politike.

Jemi duke konsultuar të gjitha variantet, ku të krijojmë atë që në fakt, në këto 30 vite i ka munguar të djathtës shqiptare reale. Do jetë kjo me një koleg, me dy kolegë, apo me të gjithë bashkë, kjo mbetet për t’u parë”.