MENU
klinika

Sekuestrohen kamerat e sigurisë

Dyshohet se piu helmin në makinë/ Detaje nga vetëvr*sja e pronarit të MCA

20.07.2024 - 13:37

Detaje të reja dalin nga vdekja e Olsi Ibros, 45-vjeçari që akuzohej për mashtrimin me mikrokreditë, i cili dyshohet se u vetëhodh mëngjesin e sotëm nga një pallat në ndërtim pranë ish-stacionit të Trenit në kryeqytet.

Dyshohet se pronari i MCA, shoqërisë që u sekuestrua nga Prokuroria e Tiranës ditën e djeshme (19 korrik), ka pirë helm në makinë dhe më pas është ngjitur në pallatin në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku”, duke i dhënë fund jetës.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Olsi Ibro ka parkuar automjetin para pallatit ku ndërmori edhe aktin e rëndë dhe më pas ka pirë helm.

Kamerat e sigurisë kanë fokusuar çastet e fundit të jetës së pronarit të MCA, i cili ndodhej i vetëm brenda automjetit.

Pasi dyshohet se ka konsumuar helmin, ai është ngjitur në godinën në ndërtim dhe është vetëhedhur duke ndërruar jetë në vendngjarje.

Ndërkohë priten rezultatet e ekspertizës mjekoligjore. Pallati ku Olsi Ibro ndërmori aktin e rëndë ndodhet disa metra larg banesës së tij.

Emri i Olsi Ibros është përfshirë në dosjen e Prokurorisë së Tiranës për mashtrimet me mikrokreditë.

Ndërkohë një ditë më parë, organi hetues sekuestroi dy shoqëritë Micro Credit Albania dhe Final, të cilat akuzohen se kanë krijuar skema mashtrimi me mikrokreditë me qëllim zhvatjen e qytetarëve.

Micro Credit Albania është një institucion financiar jobankë i licencuar në vitin 2016 që drejtohej nga çifti Olsi dhe Elda Ibro, kjo e fundit shërbente edhe si administratore e shoqërisë MCA (Mikro Kredit Albania).

Sipas Prokurorisë nga hetmet, ka rezultuar se këto dy shoqëri tregtare në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

Po ashtu, organi i akuzë sqaron se shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme.

Ata kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefona të vazhdueshme me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.

“Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera”, thuhet ne njoftim.

Skandali i mikrokredive në SPAK

Deri tani për mashtrimin me mikrokreditë, gjykata në maj 2024 ka lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”: Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në kërkim ende Alban Kote.

Në 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës sekuestroi afro 10 milionë euro në llogaritë bankare të dy shoqërive të mikrokreditit dhe të nëntë personave, administratorë dhe përmbaruesë nga institucione të mikrokrediti dhe disa shoqërive të përmbarimit.

Më 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe dërgoi në SPAK dosjen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN